Gugash Magani për momentin është i kënaqur me skuadrën e tij në prag të sfidës me Vllazninë. Pas fitores në miqësoren me Kukësin, trajneri i Tiranës analizoi gjendjen e ekipit tij. Peqinasi i bardhebluve sqaroi se objektivi parësor i klubit është afrimi i dy mesfushorëve në skuadër për të plotësuar largimet e Isufit dhe Jonuzit.

“Për mua miqësorja ishte një test i madh për anën fizike të skuadrës, sepse ne shumë pak e kemi ndërprerë stërvitjen. Mendoj se na shërbeu si takim. Patëm disa dëmtime të vogla, por meqë grupi titullar ishte i rënduar, futëm të gjithë futbollistët që kishim në dispozicion.

Në përgjithësi jam i kënaqur në pjesën e dytë, megjithatë kampionati është shumë i vështirë. Vlerësoj për momentin se skuadra është në ekuilibër, ndërsa presim edhe dy goditje të tjera deri në fund të janarit”, u shpreh fillimisht Magani.

Trajneri i bardhebluve analizoi sfidën e parë me Vllaznisë që do të luhet në 10 janar. Magani u shpreh se skuadra ka 20 vetë dhe në fund të gjithë janë të rëndësishëm për Tiranën.

“Edhe mungesat janë pjesë e lojës. Të tjerë lojtarë do të kenë besimin tim, për të luajtur nga minuta e parë. Janë 20 lojtarë, por të gjithë do të kenë mundësi të luajnë dhe secili ka peshën e vet në grupin e Tiranës”, mbylli Magani.