Silvio Berluskoni është optimist për të ardhmen e Monzës, edhe pse pas 6 ndeshjesh ka grumbulluar vetëm 1 pikë dhe të dielën pasdite i pret një Juventus i etur për fitore. Madje, Monza në këtë sfidë shkon edhe me një trajner të ri në stol, Rafaele Paladinon, një ish-juventin me zero eksperiencë në Serinë A (ishte trajneri i të rinjve), por të zgjedhur nga Adriano Galiani me besim të plotë.
Dhe akoma më shumë se kaq, presidenti i Monzës dhe ish-kryeministri i Italisë del hapur se është gati që ta ndihmojë edhe me formacionin.
“Kemi besim te Paladino, edhe pse nuk e njoh mirë për të bërë krahasime me ndonjë, siç nënvizoi Galiani (e krahasoi me Sakin zgjedhjen e tij). Madje, kam besim se pas fitores së parë do të arrijmë të rigjejmë ritmin tonë edhe në Serinë A. Siç bëmë te Milani për 30 vite, edhe këtu arritëm që pas 110 vitesh ta ngremë këtë skuadër nga Seria C në A brenda pak kohe. Çfarë duhet të bëjë Paladino ndaj Juventusit?
Fatkeqësia jonë është se kemi 7 të dëmtuar mes titullarëve dhe një kalendar që na vuri shumë shpejt skuadrat e mëdha përballë. Por nëse Paladino ndjek këshillat e mia dhe ato të Galianit që në fillim për skuadrën, do të bëjë shumë mirë”, tha Silvio Berluskoni.