Vllaznia do të luajë nesër sfidën e javës së 28-të të Superligës ndaj Laçit. Ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër dhe do të nisë në orën 16:45. Ditën e sotme në konferencën për mediat foli trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori i cili analizoi sfidën ndaj Laçit, gjendjen e skuadrës dhe të Gurishtës, ndërsa në fund i dërgoi edhe një mesazh tifozëve shkodranë.

“Këto dy javë janë shumë të rëndësishme për të gjithë klubin dhe besoj se do të rikthehemi te fitoret. Lojtarët e kanë vlerësuar stërvitjt shumë. Nuk është hera e parë që shënojmë gol dhe më pas e pësojmë. Kemi bërë një analizë pas kësaj ndeshje dhe shpresoj që këto situata të mos përsëriten më.

Si trajner mund të them që skuadra në minutat e fundit nuk kishte fuqi. Me programin e GPS, lojtarët kanë patur luhatje dhe nuk kam bërë shumë ndryshime në formacion. Ana psikologjike ka ndikuar pasi skuadra është ndërtuar për të dalë kampion dhe mungesa e rezultateve ka ndikuar”.

Presioni? “Si trajner jam gjithmonë nën presion, por e them me shpirt që në Shkodër kam ardhur për të bërë më të mirën për këtë skuadër, pasi këtu jam në shtëpinë time. Këtu ka gjithmonë presion, por unë dua të dalë faqebardhë pasi jam shkodran dhe kur nuk fitojmë mezi i dalë përpara njerëzve të shtëpisë. Jam trajner që mundohem të bëj gjithmonë maksimumin”.

Laçi? “E kemi analizuar, është një skuadër agrezive dhe dalin shpejtë në kundërësulme. Janë të fortë, por shpresoj që nesër të jetë dita jonë dhe jo e atyre. Ndryshimi i trajnerit? Nuk e di, por them që janë të dy trajnerët me eskperiencë dhe e dijnë si t’i zgjidhin problemet e skuadrës”.

Ndryshimet? “Nuk jam partizan i ndryshimeve të mëdha. Do të kemi ndonjë ndryshim të vogël, por edhe ata që janë futur nga stoli nuk kanë bërë shumë ndryshime. Lojtarët duhet të anagazhohen pak më tepër që të mos na ndodhi ajo që ndodhi me Kastriotin. Jemi munduar të takohemi me lojtarët edhe në veçanti në mënyrë që të jenë mirë nga ana psikologjike. Gurishta është në dyshim për të luajtur titullar, është stërvitur vetëm sot dhe do të jetë me skuadrën”.

Sistemi VAR? “Është disktuar, por në aspektin tjetër kemi goditur edhe këtë pjesë që ne të mos marrim kartona gjatë ndeshjeve”.

Më shumë mendja te Partizani? “Është e vështirë të futesh në kokën e lojtarit, por jemi munduar t’i marrim ndeshjet me radhë dhe kjo ndeshja na shërben shumë që të futemi në luftë me 3 skuadrat e para në renditje”.

Tifozët? “I kuptoj shumë mirë dhe janë tifozët më të mirë. E di që janë të ndjeshëm, por Vllaznia ka nevojë për njerëz që të vijnë në stadium pasi i kemi të gjitha gjërat në lojë. Nëse fitojmë nesër, do të jetë një gjë pozitive edhe për ndeshjen e Kupës. Europa është më afër përmes Kupës pasi ka ndeshje më pak. Gara është e hapur në dy frontet. E vuajmë mungesën e tifozëve, ne pa ata nuk mund të arrijmë te rezultatet pozitive”, u shpreh Plori.