Trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri ditën e djeshme ka menduar të japë dorëheqjen nga drejtimi i saj por këtë nuk e ka bërë sepse është penguar nga drejtori sportiv i klubit Armir Grima. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë klubit shkodran. Në fakt, me përfundimin e ndeshjes, kjo u pa qartë. Trajneri ka dalë nga dhomat e zhveshjes ku thuhet se u ka deklaruar lojtarëve se do të largohet, por më pas është thirrur nga Grima në një nga dhomat aty dhe nën praninë e fizioterapistit Haxhaja në rolin e përkthyesit, kanë biseduar rreth 15 minuta. Tek të gjithë u krijua ideja se Raineri do largohej, ose e kundërta do shkarkohej. Kjo u mendua edhe kur të tre ata dolën nga dhoma ku ishin duke biseduar dhe iu drejtua dhomës ku ishin futbollistët teksa gazetarët dhe të tjerët ishin të mendimit se trajneri ka shkuar për t’u përshëndetur me futbollistët. Por nuk ka ndodhur kjo. Në konferencën për shtyp Raineri ka deklaruar se ka mbështetjen e klubit dhe do vazhdojë punën. Të paktën deri tek ndeshja e rradhës me Tiranën. Mospranimi i dorëheqjes duket se ka ardhur edhe nga ajo ngaqë klubi nuk është i përgatitur për këtë largim të trajnerit në këto momente.

© shkodrasport.com