Trajneri Sarri u zyrtarizua ditën e djeshme te Juventusi, me aventurën e re që do të nisë menjëherë për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm. Qëllimi kryesor për tifozët dhe klubin bardhezi mbetet fitimi i “Champions League”, pasi në kampionat ia kanë dalë prej kohësh.
Sipas asaj që raporton “Infosporti”, menaxheri shqiptar, Fali Ramadani, ishte protagonisti kryesor që realizoi këtë lëvizje. Ndërpreja e parakohshme e kontratës së Sarrit me Chelsean nuk shkoi edhe aq lehtë, prandaj duheshin aftësitë e Ramadanit, për të bërë të mundur lirimin e tij dhe kalimin te Juventusi.
Falë mjeshtërisë së madhe në këtë fushë, menaxheri shqiptar i tejkaloi dallimet dhe qëndrimin e kundërt të palëve, në një aspekt që mund të sillte edhe dështimin e këtij operacioni. Faktikisht të njëjtën situatë Ramadani do e zgjidhte për Sarrin edhe në kohën kur kaloi nga Napoli te Chelsea.
Flasim pikërisht për njeriun që ndërmjetësoi në transferimin e sulmuesit Luka Joviç te Reali i Madridit dhe njëkohësisht shqiptarin më të njohur në Europë në pjesën e menaxherit sportiv. /Shqiperia.ch/