Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, foli para sfidës ndaj Vllaznisë, që bardheblutë do të luajnë ditën e diel në mbrëmje. Në prononcimin e dhënë përpara gazetarëve, tekniku korçar ndër të tjera u shpreh:
“Vllaznia-Tirana është klasikja e futbollit shqiptar, mendoj do bëhet ndeshje e bukur, duke marrë parasysh të dyja skuadrat. Ekipi është përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithë java ka shkuar “Ok”, shpresojmë, atë që është më e rëndësishmja, në ditën e ndeshjes të jemi në formë maksimale.
Vllaznia skuadër që është përforcuar më shumë këtë vit, e ka filluar nga vjet, por këtë vit është përforcuar akoma më shumë. Do të thoja që për ne është pothuajse gjithmonë njësoj.
Me çdo skuadër në kampionatin shqiptar është e vështirë të shkosh dhe të fitosh. Nuk ka diferenca të mëdha, por jam i bindur që do bëjmë maksimumin.
E kam thënë disa herë, jemi duke u munduar nëse do bëjmë të mundur ndonjë afrim. Gjithmonë ky afrim do të bëhet nëse është mbi nivelin e lojtarëve që kemi. Deri në këto momente për fat të keq nuk kemi gjetur.
Unë dhe stafi dhe klubi jemi të kënaqur me lojtarët dhe nivelin e tyre. Skuadrat favorite janë të çdo kampionati të njëjta, ato që investojnë më shumë. Nuk më pëlqen të them emra. Shikohet se dhe këtë vit në kampionatin shqiptar nuk është se ka shumë diferenca”, u shpreh Shkëmbi.