Kolonia e trajnerëve shqiptarë mund të copëzohet në fund të sezonit, pasi tekniku i KEK-ut, Bledar Devolli, me shumë mundësi do të largohet nga kjo skuadër në fund të këtij edicioni.
Devolli duket se nuk do të jetë i vetmi që do të largohet, pasi tekniku i Lirisë së Prizrenit, Bledi Shkëmbi, ka konfirmuar largimin në fund të sezonit.
Numri një i stolit të prizrenasve e tha hapur se po luante për të mbyllur kampionatin, pasi në fund do të largohet.
Korçari dhe ekipi i tij kanë probleme financiare dhe nuk janë paguar prej muajsh. Humbja e thellë me Dritën me rezultatin 3-0 la shumë të zhgënjyer teknikun e Lirisë së Prizrenit.
“Luajtëm shumë dobët. Sikurse në ndeshjen e shkuar ndaj 89-shit. Po luajmë sa për ta mbyllur kampionatin. Kemi probleme. Ishte mirë aq sa zgjati.
Dua ta falënderoj ish-kryetarin dhe kryesinë, pasi unë jam këtu pas marrëveshjes me të”, – u shpreh Shkëmbi duke konfirmuar problemet që ka në klub dhe mundësinë e largimit nga skuadra e Lirisë së Prizrenit.
Trajneri Shkëmbi shkoi drejt Kosovës në verën e vitit të kaluar. Ai mori disa lojtarë nga Shqipëria dhe bëri mirë fillimisht, pasi dhe financat ishin të shëndosha.
Me kalimin e muajve filluan të ndihen dhe problemet ekonomike.
TIRANA – Largimi i Bledi Shkëmbit nga ekipi i Lirisë së Prizrenit ka kthyer vëmendjen e trajnerit drejt Superiores.
Ai ka mundësi që të kthehet në kryeqytet, por këtë radhë si trajneri i Tiranës dhe jo si lojtar i Partizanit.
Tekniku korçar e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar, pasi ka luajtur prej shumë vitesh.
Në të njëjtën kohë, ai njeh shumë mirë dhe lojtarët e Superiores duke qenë se ka punuar me to dhe mund të bëjë merkato kualitative. /EDS