Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, beson se trajnerët e huaj në klubet kosovare s’kanë pasur sukses deri më tani pasi që ata s’e njohin mirë futbollin në Kosovës. Ai shtoi se në Kosovë nuk po vijnë trajnerë të mirënjohur si Pep Guardiola e Jose Mourinho nga vendet e jashtme, por trajnerë gjysmëanonim apo plotësisht anonim.

Në tentim për ta ngritur cilësinë e futbollit dhe gjasat për të fituar trofe, klubet kosovare kanë testuar trajnerë të huaj gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ata s’kanë arritur t’i mbajnë pozitat e tyre për një kohë të gjatë, për shkak të mungesës së sukseseve, shkruan Gazeta Express.

Trajneri kosovar, Ismet Munishi, beson se ky fenomen po ndodh pasi që trajnerët e huaj s’mund të kenë sukses në Kosovë kur nuk kanë njohuri për futbollin vendor. Ai e ka vënë në dyshim edhe cilësinë e këtyre trajnerëve”.

“Kjo është çështje individuale, por deri më tash nuk është treguar e suksesshme për klubet sepse puna e trajnerit ka të bëjë me informata për ligën, për skuadrën e vet e për kundërshtarin”, ka thënë Munishi në emisionin “Favorit” në T7.

“Një trajneri i themi i mirë kur ai ka shumë informata dhe ka se çfarë t’i shpjegojë futbollistëve të vet për kundërshtarin e i njeh edhe lojtarët e vet mirë. Nuk do të thotë që trajner i mirë është dikush që di teori mirë dhe e paska shpik futbollin”.

“Klubet kanë tentuar me trajnerët e huaj dhe nuk janë ndarë të kënaqur. Normalisht që të ne nuk vjen ajka e trajnerëve botërore, Guardiola e Mourinho, se ne nuk kemi mjete për t’i paguar. Vijnë do këso trajnerë gjysmëanonim e disa krejt anonim”.

Munishi i lavdëroi trajnerët kosovarë që aktualisht janë të papunësuar, si Bylbyl Sokoli e Afrim Tovërlani, ndërsa e vlerësoi edhe punën që trajnerët e rinj, si Armend Dallku me Prishtinën dhe Shpëtim Idrizi me Trepçën ’89, e kanë bërë deri më tani.