Kategoria e Dytë do të rikthehet nesër dhe Ada e Velipojës në këtë javë luan në transfertë ndaj Elbasanit. Trajneri i Adës, Arbër Shytani, shprehet se kjo ndeshje është një përballje e vështirë, por duke pasur parasysh edhe afrimet e bëra së fundmi në skuadër janë optimistë që mund të ia dalin.
Duke folur për ndeshjen në fjalë, ai pranon se është një ndeshje që duhet vlerësuar maksimalisht, teksa shprehet se përformanca e ekipit ka qenë e kënaqshme në përgjithësi. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Shytani theksoi se ka besim të plotë se edhe afrimet e bëra do ta ndihmojnë skuadrën velipojake.
“Sigurisht që ndaj Elbasanit është një ndeshje me rëndësi për ne, ashtu siç do të jetë çdo ndeshje e këtij sezoni për ne. Aq më shumë, që për momentin nuk ndodhemi në kushte komode në renditje, kështu që është një ndeshje që është vlerësuar maksimalisht. E kemi theksuar disa herë se kemi ndërtuar një ekip me moshë mesatare shumë të re jo për t’u justifikuar në lidhje me rezultatet, por për të shpjeguar strategjinë e këtij ekipi këtë vit.
Sigurisht që është një rrisk, por performanca e ekipit në fazën e parë ka qenë e kënaqshme dhe me afrimet e janarit, jemi të bindur që do arrijmë objektivin që këtë sezon është mesi i tabelës. Besoj se është një shembull i mirë edhe për ekipet e nivelit të lartë ku paçka se jemi një nga kampionatet me nivel më të ulët në Europë, u besohet shumë pak elementit të ri”,-thotë ai.
Ndër të tjera, Shytani ka besim në afrimet e bëra dhe është besimplotë që në vazhdim lojtarët e tij do të bëjnë një fazë më pozitive se sa kjo që kaloi.
“E përmenda edhe më lart që rezultatet nuk kanë qenë pozitive, por vetë organizimi i këtij viti me elementë të rinj premtues, pëmban në vetvete rriskun e rezultateve nga mungesa e eksperiencës. Për këtë, kemi bërë edhe dy-tre afrime që mendojmë se do të jenë të vlefshme për ne. Faza e parë i ka vlejtur grupit për t’u rritur edhe psikologjikisht, por edhe në aspektet e tjera. Poashtu, edhe afrimet na bëjnë të kemi besim të plotë në një fazë shumë herë më pozitive”,-shprehet trajneri 37-vjeçar.
Në fund, tekniku Shytani, i pyetur rreth objektivave dhe pozicionimit të skuadrës së tij në fund të sezonit, thekson se ka besimin e plotë që ata do ta mbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme duke tentuar të kapin mesin e tabelës.
“Në fakt, përveç rritjes së skuadrës që të them të drejtën, periudha ndërmjet dy fazave na ka vlejtur shumë për të punuar, në ato pjesë që fazën e parë mund të kemi çeduar. Në vazhdim, në këtë fazë kemi edhe kalendarin në favor, pasi të gjitha ekipet rivale i presim në fushën tonë, ku besoj se edhe kjo është një avantazh që mendoj se do të dimë ta shfytëzojme faktorin fushë.
Në vazhdimësi, mendoj se nuk do të jetë një sezon i lehtë për ne, por unë kam besimin e plotë që do ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kapur mesin e tabelës”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI