Vllaznia e volejbolli për femra është një nga ato ekipe që po korr suksese javë pas jave në kampionat. Vajzat e drejtuara nga Dorjan Tafa janë në vendin e dytë të renditjes dhe këtë javë do presin në “Qazim Dervishi” skuadrën e Tiranës. Për këtë takim, por edhe për ecurinë e ekipit të tij, Tafa ka folur së fundmi në një prononcim të tij për Star Plus.

Tafa: “Bëmë një ndeshje shumë të mirë kundër Partizanit, që është kampion në fuqi. Po fitonim 2-0 me sete, por arritëm me zemër që ta fitonim në setin e fundit 3-2 takimin. Ndeshje shumë emocionuese për ne.

Skuadra po ecën në ritmin e duhur ku elementi me eksperiencë dhe ai i ri po gërshetohen mes tyre. Mbështetja nuk ka munguar dhe për vajzat kushtet janë optimale. Patjetër ka probleme në infrastrukturë dhe aty është baza e zhvillumit të çdo sporti.

Këtë të premte do presim në Shkodër ekipin e Tiranës. Një ndeshje që parashikohet të jetë shumë e fortë dhe të garantojë spektakël. Ftoj tifozët shkodranë që të na mbështesin në këtë ndeshje”.
Endri ÇINARI