www.shkodrasport.com
Trajneri Tuzi: Me Emanuel Lushin pretendoj medalje në Europë
Peshengritësi I Vllaznisë, 15 vjeçari Emanuel Lushi natyrisht që vlerësohet shumë për karakteristikat e tij dhe të gjithë specialistët që e njohin, shohin tek ai të dhëna shumë të mira. Mbi të gjitha, për të flet me superlativa trajneri që e stërvit Muhamet Tuzi. Ai ka bindjen maksimale se gjatë vitit 2012, Emanuel Lushi do të arrijë patjetër të futet në zonën e medaljeve në kampionatin Europian të 17 vjeçarëve. Njëkohësisht nuk do mungojnë edhe rezultatet e tjera positive për këtë sportist. Këtë trajneri Tuzi e ka bërë të ditur edhe për gazetën online www.shkodrasport.com kur ka deklaruar: “Mendoj dhe besoj se viti 2012 ka për të qenë një vit shumë i mbarë për Emanuel Lushin. Do jetë viti kur ai do marrë edhe medaljet e para në arenën ndërkombëtare dhe për këtë jam shumë i bindur. Ai është një sportist që po rritet nga dita në ditë dhe këtë e shoh tek përballimi me sukses i ngarkesave stërvitore. Përderisa ato kanë ardhur gjithnjë në rritje, kjo tregon se jemi në rrugë të mbarë. Përpara se të marrë pjesë në Kampionatin Europian të 17 vje♪5arëve që do zhvillohet në korrik apo gusht, por përpara këtij aktiviteti, Emanueli do të marrë pjesë në kampionatin kombëtar të të rriturve, në kupën e Shqipërisë dhe në kampionatin e të rinjve. Janë tre aktivitete që do ta përgatisin atë për Europianin”. Nëse flitet me superlativa për Emanuel Lushin, trajneri Tuzi e bën këtë ngaqë vëren një rritje shumë positive tek të gjithë parametrat e këtij sportisti. Nga dita në ditë, nga java në javë, nga muaji në muaj, ai ka progres dhe kjo jep garanci për të ardhmen. “Shoh progresi jo nga viti në vit por nga java në javë, madje edhe nga dita në ditë. Kjo tregon se ai po bën një rritje shumë të madhe në të gjithë parametrat e tij prandaj dhe kam shumë besim tek suksesi i këtij sportisti edhe në Europë”-ka thënë Tuzi për shkodrasport.com.Në këtë mënyrë, pas Qerimajt dhe Prronit, tashmë duket se është rradha e Emanuel Lushit të shkëlqejë në europianin e moshave për t’I dhuruar klubit Vllaznia dhe Shkodrës të tjera medalje.