Ditën e sotme trajneri i Vllaznisë Rudi Vata ka udhëtuar drejt Skocisë për të festuar festat e fundvitit me familjen e tij. Largimi nga Shkodra ka qenë pa shumë humor nisur edhe nga ecuria jo e mirë e skuadrës, shoqëruar edhe me humbje në ndeshjen e fundit me Shkumbinin. Por nëse trajneri Vata ka udhëtuar drejt Skocisë ku do qëndrojë deri më 4 janar, ekipi kuqeblu ka vijuar me stërvitjet. Lojtarët kanë qenë edhe paraditen e djeshme në fushën “Reshit Rusi”, do jenë edhe të hënën dhe pastaj çdo dy ditë deri më 30 dhjetor kur do jetë seanca e fundit stërvitore.
Mungesa e Vatës nuk do ndihet gjatë këtyre ditëve sepse punën e tij do ta bëjnë ndihmësit Sinani e Legata dhe përgatitësi atletik Parmeza. Ndonëse në Skoci, Vata do t’i mbajë vazhdimisht kontaktet me drejtuesit e klubit shkodran në lidhje me problemet e merkatos sepse Vllaznia ka nevojë të përforcohet por ende nuk është shumë e qartë se cilët lojtarë do blihen dhe cilët do largohen.
www.shkodrasport.com