Pavarësisht mungesave që do ketë në formacion, pavarësisht ndonjë problemi të lindur mes lojtarëve dhe drejtuesve të klubit sa i takon gjobave, trajneri i Vllaznisë Rudi Vata ka shumë besim se skuadra që ai drejton do bëjë më të mirën në ndeshjen e së shtunës ndaj Apolonisë. “Për ne është një ndeshje e rëndësishme. Luajmë ndaj një Apolonie e cila një javë më parë barazoi ndaj Flamurtarit dhe do kërkojë të na mundë edhe ne.
Vllaznia do ketë mungesa në këtë ndeshje por nuk trembem nga ato sepse janë normale për një skuadër futbolli. Lojtarët e tjerë janë stërvitur me dëshirë dhe kam shumë besim tek paraqitja e tyre në këtë ndeshje. Në tavolinë janë të tre rezultatet por unë kam shumë besim se Vllaznia do të kërkojë fitoren në këtë ndeshje”-ka thënë trajneri Vata. Një entuziasëm i tillë natyrisht që është për t’u vlerësuar sepse shumë trajnerë të tjerë do kishin hequr dorë nga pretendime të tila ose do ishin “dorëzuar para një situate kaq problematike. Rudi nuk është prej atyre. Ka ardhur për të dhënë më të mirën për Vllazninë dhe këtë po e bën në mënyrën më të mirë të mundshme deri tani.