Boksierët e Vllaznisë do të kërkojnë të bëjnë pronë të tyre edhe trofeun e 19-të të Kupës së Shqipërisë. Finalet e këtij aktiviteti do të zhvillohen këtë të shtunë dhe të dielë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit tonë. Boksierët shkodranë kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet dhe tashmë ata janë gati për triumfin e rradhës. Duke folur në lidhje me finalet e Kupës së Shqipërisë, njëri nga trajnerët e ekipit të Vllaznisë, pikërisht Lazarin Vila, ka bërë të ditur për se boksierët janë gati për suksesin e rradhës. “Kemi kohë që përgatitemi për Kupën dhe tashmë jemi gati për të triumfuar sërish. Natyrisht që do ketë konkurrencë dhe kryesisht nga Tirana e cila vjen në këtë aktivitet me 10 boksierë ndërsa ne do të marrim pjesë me 9 boksierë megjithatë kjo nuk do na pengojë në pretendimet tona sepse të paktën 5 sportistë i kemi të sigurtë fitues të vendit të parë”- ka thënë ai.Ka një koinçidencë interesante me ekipin e boksit të Vllaznisë. Ai ka fituar 19 herë titullin kampion më të rriturit, ka fituar po 19 herë titullin kampion me të rinjtë e rritur dhe do të kërkojë të fitojë edhe kupën e 19-të të Republikës. Këtë besim ka edhe trajneri Vila që përmend edhe faktin se ndikim të madh do ketë edhe zhvillimi I këtyre finaleve në Shkodër. “Finalet e sivjetme zhvillohen në Shkodër dhe nuk ka shans që para tifozëve tanë, ne t’i zhgënjejmë ata. Jam shumë i bindur se edhe ky trofe i 19-të i kupës do t’i takojë Vllaznisë, po aq sa edhe numri i titujve kampionë”- ka thënë më tej njëri nga trajnerët e ekipit shkodran. Në këtë mënyrë finalet e Kupës së shqipërisë të shtunën e të dielën pritet ta kthejnë sërish në festë pallatin e sportit “Qazim Dervishi” sepse shkodranët do jenë sërish pranë boksierëve të tyre për t’I mbështetur në suksesin e rradhës.
Gjergj KOLA