Skuadra e Barcelona fitoi 3-2 mes vuajtjeve ndaj Almeria në kampionat, rezultat ky që nuk i ka pëlqyer aspak trajneri Xavi. Katalanasit bënë një ndeshje të dobët, ndaj dhe trajneri ka shpërthyer për paraqitjen e të tijve. “Pjesa e parë ishte e papranueshme. Presioni dhe agresiviteti nuk ekzistuan fare”, tha Xavi.

“Ose vrapojmë si kafshët ose nuk arrijmë dot të kapim topin. Nuk jemi Barcelona e vitit 2010, por vitin e kaluar ishim agresivë dhe kishim shpirt gare. Ose të heqim dorë nga lëkura dhe jeta jonë ose nuk do të fitojmë kurrë ndonjë gjë. Duhet të zgjohemi, pasi kur nuk ka lojë të bukur duhet të vëmë shpirtin në fushë”, tha Xavi.

“Ndeshja jonë kishte dy fytyra dhe pejsa e parë nuk ka të bëjë me të dytën. Gjithsesi, krijuam disa raste për gol, por duhet të punojmë si kafshët. Jam i lumtur për Sergi Roberto dhe dy golat e tij. Gjithsesi, nga kjo ndeshje jam më shumë i inatosur me lojtarët e mi se sa i kënaqur”, u shpreh Xavi.

“U fola pas ndeshjes për mungesën e shpirtit të garës. Ata e ndjejnë presionin, ndaj duhet të jem më kërkues me lojtarët, por edhe t’i mbroj. Vërshëllimat e tifozëve janë normale, por dueht punuar më shumë për respekt të tifozëve dhe klubit. Pjesa e parë ishte një katastrofë”, tha Xavi./telesport/