
Kombëtarja shqiptare e boksit ka nisur nga e hëna grumbullimin e saj në Shkodër, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare që zhvillohen në fund të këtij muaji në Mersin të Turqisë. Pjesmarrës në këto Lojëra do të jenë tre boksierë, pikërisht Rexhildo Zeneli, Kristian Shytani dhe Kristian Demaj si dhe trajneri I kombëtares shqiptare Zef Gjoni. Ky I fundit, në një intervistë për gazetën ka bërë të ditur se shpreson që boksierët tanë të kthehen me medalje nga Turqia. “Kemi hyrë në fazën më intensive të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare. Kombëtarja shqiptare e boksit do të marrë pjesë me tre sportistë, me Rexhildo Zenelin, Kristian Shytanin dhe Kristian Demën ndërsa unë jam trajneri I ekipit. Duhet të them se ka patur një padrejtësi që na është bërë nga Komiteti Olimpik Shqiptar sepse kemi kërkuar të jemi dy trajnerë në këto Lojëra ngaqë rregullorja edhe e Federatës Botërore të Boksit e tillë është ngaqë mund të rezultojë që në ndeshjet eliminatore, dy boksierë të ndeshen njëkohësisht në dy ringje të ndryshme dhe njëri prej tyri automatikisht do ta bëjë ndeshjen e tij pa patur pranë trajnerin dhe ky është një absurditet. Pavarësisht kësaj, jemi përgatitur denjësisht dhe jam I bindur se kësaj here do marrim medalje”- ka thënë ai. I pyetur se ku e bazon gjithë këtë optimizëm, tek stërvitja e bërë nga sportistët apo dhe nga shansi në short, trajneri Gjoni do të shtonte: “Unë bazohem tek puna e bërë në stërvitje nga këto sportistë prej disa muajsh. Forma e tyre e mirë u konfirmua edhe në Memorialin Ndërkombëtar të Shkodrës që u zhvillua në muajin prill ku ata u ndeshën sit ë barabartë me boksierë nga Rusia, Bullgaria, Italia, Australia etj, madje dy prej tyre, Zeneli dhe Dema u shpallën edhe fitues të medaljeve të arta duke fituar në finale ndaj boksierëve rus. Po ashtu edhe Shytani bëri një paraqitje të shkëlqyer duke shkuar deri në finale ku ndonëse humbi ndaj kampionit të Rusisë, paraqiti vlera shumë të mira sportive. Kjo formë e tyre është ruajtur deri tani falë punës dhe përkushtimit në stërvitje prandaj dhe kam besim se ata do marrin medalje në Mersin të Turqisë”. I pyetur se cili gëzon formë më të mirë sportive dhe tek kush ka më shumë besim për medalje, trajneri Gjoni ka thënë se forma e të tre sportistëve është e mirë dhe i rëndësishëm është edhe shorti për secilin prej tyre. “Çdo gjë për medaljet e sportistëve tanë varet edhe nga shorti sesa boksierë do kenë secili prej tyre në peshat respective dhe me kë do t’I bjerë në turin eliminator. Nuk do kisha dëshirë kurrsesi që boksierët tanë të ndeshen që në turin e parë me boksierët e Turqisë. Jo se I kemi frikë për nivelin e tyre por siç dihet, në aktivitete të tilla sportistët e vendit organizator gjithmonë favorizohen. Më mirë do dëshiroja që boksierët tanë të ndesheshin me kundërshtarët e tyre më të fortë që në eliminatore sesa me turqit, megjithatë kjo nuk është në dorën tonë”- ka thënë trajneri I kombëtares shqiptare të boksit. Në këtë mënyrë, tashmë duhet të presim fundin e muajit qershor për të parë nëse vërtetë boksierët tanë do sjellin medalje nga Lojërat Mesdhetare apo jo. Ato kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet dhe do vazhdojnë me këtë ritëm deri më datë 18 qershor, datë kur mendohet të nisen drejt Turqisë për të marrë në Lojërat Mesdhetare.
Gjergj KOLA