Optimizëm në kampin shkodran në pragndeshjen me Teutën e cila do të jetë e para për të në kampionatin e ri ngaqë në javën e parë nuk ka luajtur përballë Skënderbeut. Këtë entuziasëm e dallon qartë tek futbollistët por edhe tek trajneri Luan Zmijani. Në daljen e tij të zakonshme para mediave një ditë para ndeshjes ai është shprehur entuziast për marrjen e një rezultati pozitiv në takimin e nesërm. “Do jetë një takim i vështirë sepse Teuta ka një skuadër simpatike megjithatë edhe tek ne ka entuziasëm dhe do kërkojmë të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje. Kemi aktualisht disa probleme me formacionin pasi Bardulla e Krymi kanë patur probleme me dëmtimet dhe nuk është e qartë nëse do t’i aktivizojmë apo jo megjithatë edhe pa to, do kërkojmë të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje të parë për ne”- ka thënë numri 1 i pankinës kuqeblu. I pyetur sërish për objektivat e Vllaznisë në kampionatin e ri, Zmijani sërish i është shmangur duke thënë se për të do të flasë vetëm pas të hënës. “E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris sërish. Pa u mbyllur merkatoja nuk mund të flasë për objektiva. Presim edhe lojtarë të tjerë dhe me ardhjen e tyre do të shpallim edhe objektivin tonë në sezonin e ri”- ka deklaruar Zmijani. Takimi Teuta- Vllaznia do të luhet nesër në orën 20.00 në “Niko Dovana” dhe për shkodranët do jetë sipari i kampionatit, çka ka bërë që futbollistët dhe stafi i tyre të jetë shumë i angazhuar për t’i bërë një nisje të mirë.

www.shkodrasport.com