Teuta do jetë kundërshtari i rradhës i Vllaznisë në kampionat. Ndeshja është e vlefshme për javën e 14-të të Superiores dhe do mbyllë këtë vit futbollistik për të dy ekipet. Skuadrat vijnë në humore të ndryshme, kjo pasi shkodranët kanë dy humbje rradhazi dhe durrsakët nga ana e tyre dy fitore.

Në krahun e bregdetarëve po ashtu ka edhe një numër të madh shkodranësh. Që po japin kontributin e tyre prej disa sezonesh tashmë në Durrës. Së fundmi ishte trajneri Edi Martini, që pas një periudhe shkëputje u rikthye në drejtimin e “djemëve të detit”. Ish-fantazisti që i risolli titullin kampion Teutës pas thuajse 3 dekadash, para dy edicionesh që ishte nën drejtimin e durrsakëve.

Por gjithashtu edhe lojtarët shkodranë janë një pjesë e rëndësishme e klubit durrsak. Rubin Hebaj është një titullar i padiskutueshëm dhe një prej sulmuesve më të mirë në Superiore. Po ashtu Ildi Gruda, ka qenë shpesh i rëndësishëm në momentet kur është aktivizua. Ndërsa këtë edicion janë afruar edhe dy lojtarë të tjerë nga Shkodra në Durrës. Ata janë Uhedi Hoxha dhe Klevis Bebeziqi.

Të dy futbollistët nuk kanë pasur minuta në kampionat për të shfaqur vlerat e tyre. Por ndoshta ardhja e Martinit në krye të pankinës mund të ndryshojë qasjen ndaj tyre. E ditën e enjte gjithë këta personazhe do jenë kundër ekipit ku u formuan dhe u konfirmuan në futbollin shqiptar.
Endri ÇINARI