Nga Endri ÇINARI

Vllaznia udhëton ditën e premte drejt Ballshit për tu ndeshur me vendasit e Bylis. Duel që do zhvillohet në kuadër të javës së 15-të të Superiores. Ku në njërin krah janë ballshiotët të dëshpëruar për pikë dhe që kërkojnë të largohen nga fundi i tabelës së klasifikimit. E në krahun tjetër kuqeblutë që nuk humbasin prej 5 ndeshjesh rradhazi në kampionat.

Dhe që një ecuri të tillë pozitive duan ta vijojnë edhe ndaj mallakastriotëve. Sfida e fundit e luajtur në stadiumin “Adush Muça” mes dy skuadrave i ka buzëqeshur Vllaznisë. Me shkodranët që triumfonin në javën e 36-të të sezonit 2022-23 me shifrat 1-2.

Ku fillimisht do ishte Bylis që do kalonte në avantazh me Lajthijen. Gol që do përmbysej nga rrjetat e Jonuzit dhe Latifit, për të vulosur shifrat përfundimtare 1-2.

Rezultat që atë sezon do ishte i rëndësishëm për Vllazninë pasi do siguronte vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në kompeticionet europiane pas fitimit të kupës nga Egnatia. E ndërsa për Bylis do vuloste rënien nga Superliga, pasi skuadra do renditej në vendin e 9-të të kampionatit./www.shkodrasport.com/