Superliga nuk njeh pushim dhe ndeshjet e javës së 14-të të elitës së futbollit tonë do nisin që sot. Vllaznia nga ana e saj do zbresë nesër në fushën e lojës ku përballë do ketë Kastriotin, në një duel aspak komod. Takimi do luhet në transfertë, në stadiumin e Kamzës, ku krutanët zhvillojnë ndeshjet si pritës. Ndeshja do startojë në orën 13:00 dhe pritet shumë interesante.

Kjo duke parë që të dy ekipet vijnë nga humbjet dhe do kërkojnë të reagojnë ndaj njëra-tjetrës. Dhe pavarësisht se Kastrioti cilësohet si një skuadër fushe, statisikat thonë që Vllaznia ka qenë totalisht dominuese në 4 ndeshjet e fundit. Kjo duke nisur që nga ringjitja e krutanëve në Superiore dhe që nga viti 2020, kuqeblutë njohin vetëm fitore në transfertë me Kastriotin.

Kështu më 09.12.2020, Vllaznia fitonte 0-3 përballë krutanëve, ku shënonin Dunga, Dilaver dhe Imeri. Po ashtu shkodranët do ripërsërisnin suksesin në atë edicion në datën 21.03.2021, ku një gol i Hoxhajt në “frymën e fundit” do i jepte 3 pikë ekipit që në atë periudhë drejtohej nga Brdariç. Edhe edicioni i kaluar ishte i sukseshëm me fitore kundër Kastriotit.

Ku Vllaznia fitonte në ndeshjen e fazës së dytë me rezultatin 0-1, falë një penalltie të Latifit. E po ashtu në fazën e katërt ku kuqeblutë triumfonin 1-3 pas rrjetave të Da Silvas, Gurishtes dhe Aralices, ndërsa për krutanët shënonte Kaina. Patjetër që kuqeblutë do kërkojnë që suksese të tilla ti vijojnë edhe nesër, ku nuk luhet për thjesht statistika pozitive, por edhe për tu rikthyer tek fitoret dhe pretenduar afrimin me kreun.
Endri ÇINARI