Lorenc Trashi është një nga humbjet e mëdha që ka pësuar Partizani në merkaton verës sa i përket organikës, ndonëse klubi përfitoi 250 mijë euro nga shitja e tij.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i të kuqve tregon peripecitë dhe ambientimin te skuadra e AL Qadsia në Kuvajt, ku sipas tij, temperaturat e larta përbëjnë problem.

Trashi ka folur me superlativa për atë që do ta zëvendesoje, shkodranin Esin Hakaj dhe eshte shprehur se ky do te jete sezoni i tij.

“Unë mendoj se ekipin nuk e bëjnë vetëm dy veta, e bën i gjithë grupi. Gjithsesi, them se Partizani i ka bazat, ka djem me eksperiencë brenda edhe që kanë kohë që luajnë bashkë me njëri-tjetrin.

Sa i përket Hakajt, ai është i përkryer në atë rol, por e kanë penalizuar pak dëmtimet. Ai tani po luan dhe e kam ndjekur në dy ndeshje dhe e them me plot bindje që ka për të bërë një sezon shumë të mirë.

Hakaj ka shumë vlera brenda, si djalë dhe si lojtar. Unë e vlerësoj shumë si lojtar, sepse pak a shumë kemi të njëjtat cilësi dhe dëshirë për të luajtur në atë pozicion”.