Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një tjetër paraqitje të mirë në kupën “Çlirimi” që u organizua nga Federata Shqiptare e Çiklizmit. Në kategorinë kadetë dhe juniorë, tre çiklistë të këtij ekipi janë ngjitur në podium si fitues duke treguar edhe njëherë tjetër se ishin ekipi më i mirë në këtë aktivitet. Gara ka patur një itinerar të përbashkët, nga Tirana deri në majë të malit të Qafë Kërrabës dhe terreni malor i saj, do të nxirrte më së miri në pah vlerat e të gjithë sportistëve. Paraqitja e sportistëve shkodranë edhe në këtë garë ka qenë shumë e mirë. Kështu, Astrit Kronaj ka bërë një pedalim të shkëlqyer duke arritur me të parët në mbërritje dhe ka zënë vendin e parë në kategorinë kadetë, por jo vetëm kaq, por ndonëse vetëm 16 vjeç, ai është renditur i treti edhe me të rriturit, çka tregon se pedalimi i tij në këtë etapë ka qenë i shkëlqyer.

Pas tij, ka ardhur çiklisti tjetër i Vllaznisë Bruno Kola i cili është renditur i treti në kategorinë e kadetëve. Edhe me juniorët, ka patur një tjetër çiklist të ekipit shkodran në podium, pikërisht Kledison Cani që ka zënë vendin e tretë. Përveç këtyre tre sportistëve, një figurë shumë të mirë kanë bërë edhe tre sportistët e tjerë që kanë marrë pjesë në këtë garë, Alfons Rrashkadoli, Gjergj Zefi dhe Sion Gjoka. Trajneri Leonat Kola duke folur në lidhje me këtë aktivitet, ka thënë: “Paraqitja ishte shumë e mirë dhe çiklistët e Vllaznisë spikatën edhe në këtë garë të fundit të këtij viti. Dua të falenderoj z. Ferdinand Jaku për mbështetjen që na ka dhënë për këtë garë, por po ashtu edhe dy veteranët e këtij sporti, Brahim Syka dhe Hilmi Lala që vazhdojnë t’i qëndrojnë afër ekipi si në stërvitje ashtu edhe në gara, duke qenë një nxitje për çiklistët e rinj”. Ndonëse në fund të aktivitetit nuk ka patur renditje ekipore, ekipi i Vllaznisë është vlerësuar si ekipi më i përgatitur i kësaj kupe. Ky natyrisht që është një sukses për të sepse me këtë garë të fundit për 2016-ën, po mbyllin një vit shumë të suksesshëm, teksa kanë arritur të dominojnë në të gjitha garat që janë zhvilluar në kategoritë kadetë dhe juniorë duke treguar se brenda pak vitesh, do dominojnë në çiklizmin shqiptar edhe me të rriturit.

© shkodrasport.com