Në fitoren me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Teutës, kishte disa futbollistë të Vllaznisë, të cilët kanë rënë në sy për performancën e tyre të mirë dhe si rrjedhojë, janë përfshirë edhe në formacionin e javës të “OverSport” nga Andi Lila.
Kështu, bëhet fjalë për dy nga autorët e golave të kuqebluve, pikërisht për Esin Hakaj dhe për Kaina, por edhe për Esat Malën, që edhe pse nuk arriti të shënojë, fitoi dy penallti. Ata janë pjesë e 11-shes më të mirë të javës së 15-të, falë paraqitjes së mirë në këtë 90-minutësh, i cili përfundoi me rezultatin e thellë 4-0 në favor të kuqebluve.
Sa i takon formacionit të javës, në portë, Andi Lila ka vendosur portierin e Bylisit, Teqja. Në katërshen e mbrojtjes, ai ka vendosur mbrojtësin shkodran të Vllaznisë, Hakaj, por edhe Hadrojn, Bitrin dhe Sadikin.
Në mesfushën me tre futbollistë, përveç Malës së Vllaznisë, ka vend edhe për dy mesfushorët e Kukësit, El Id dhe kapitenin Gjelbrim Taipi. Ndërkohë, në sulm, në 11-shen më të mirë të javës janë përzgjedhur Cara dhe Skuka të Partizanit e poashtu, edhe sulmuesi i Vllaznisë, Kaina.
Përfshirja në formacionin më të mirë të javës kuptohet që është një bonus moral për çdo futbollist dhe sidomos për tre futbollistë, si Esin Hakaj, Esat Mala dhe Kaina që pritet shumë prej tyre dhe realisht, në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, bënë një paraqitje shumë pozitive.
Maringlen ZHIVANI