Vedat Muriqi duket se është gati për sezonin e ri në LaLiga me Mallorcan e tij, pasi sulmuesi ynë ishte sërish vendimtar në miqësoren e fundit të skuadrës së tij, ku në katër ndeshje ai arriti të shënojë tre gola.
Fillimisht ai gjeti rrjetën në ndeshjen ndaj Crewe ku Mallorca fitoi 3-1.
Mallorcas luajti të mërkurën ndaj Poblense, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0, ku Muriqi shënoi dy gola.
Ishte pikërisht futbollisti shqiptar që hapi llogaritë e takimit duke shënuar në minutën e 11-të me një gjuajtje të saktë në zonë.
Muriqi realizoi edhe të dytin pas katër minutash, kur pranoi një top në zonë dhe u rrotullua bukur për të gjetur rrjetën.
Në vijim, Mallorca e gjeti rrugën e rrjetës edhe në tre raste të tjera, duke e mbyllur ndeshjen me fitore të thellë.
Mallorca do të luaj edhe tri ndeshje miqësore ku takohet me Burgos, Mirandes dhe Bolognan, para se të startojë në La Liga me 18 gusht ndaj Real Madridit.
30-vjeçari përgatitet të nisë sezonin e katërt në Spanjë me Mallorcan, ku “Pirati” llogaritet si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës spanjolle. Në sezonin e fundit të La Liga, Muriqi u aktivizua në 29 ndeshje duke shënuar 7 gola./Telegrafi/