Bylisi humbi me Egnatian, madje rezultati është shumë pak shpresëdhënës sa i përket kalimit në gjysmëfinale. Disfata në Kupën e Shqipërisë bëhet e treta radhazi për ballshiotët, që duhet se rikthehen në vete pas një momenti jo të mirë që po kalojnë, pasi më parë janë mundur në kampionat nga Tirana dhe Egnatia. Por nga dje, Bylisi ka zbritur në fushën e stërvitjes dhe ka nisur që të mendojë për duelin e radhës në Superiore. Të dielën, ekipin e Dedes e pret një tjetër duel i vështirë, madje një transfertë nga më delikatet, me Vllazninë në “Loro Boriçi”.
Skuadra pritet që të jetë e plotë, ndërsa ardhja e Da Silvës e ka rritur më shumë cilësinë, por edhe ka shtuar konkurrencën në radhët e mallakastriotëve, të cilët tashmë duan që të sigurojnë sa më parë mbijetesën në kampionat. Dede bashkë edhe me stafin e tij janë duke punuar shumë në aspektin psikologjik me lojtarët, ndërsa duket se te ballshiotët sulmi vijon që të mbetet problematik. Ndaj Egnatias skuadra nuk ka shfrytëzuar rastet dhe kjo ka ndodhur në shumë sfida, të cilat më pas u janë kthyer në “bumerang” mallakastriotëve.
Ndaj edhe mund të shihet mundësia për afrimin e ndonjë prej lojtarëve nigerianë, që janë atashuar pranë skuadrës U-21. Megjithatë, mbetet për t’u parë, pasi tashmë edhe situata në tabelën e renditjes nuk është aspak premtuese për mallakastriotët. Diferenca me rivalët është e dukshme, teksa në javët e fundit gara për mbijetesë dhe diferenca mes ekipeve është ngjeshur dhe në lojë janë 6-të ekipe, që deri në fund do të synojnë të shmangin zonën e rrezikut. Gara është në kulmin e vet, ndërsa sfidat e radhës do të jenë përcaktuese në një farë mënyre edhe për rrugën që do të marrin ekipet rreth objektivave që kanë.