Ndërprerja e kampionatit për shkak të miqësores së Kombëtares, është një frymëmarrje për Kukësin.Tri humbjet radhazi kanë zhytur në fund verilindorët, duke zhbërë shumë shpejt edhe ecurinë pozitive të javëve të kaluara.

Këto ditë pushimi janë një periudhë që do t’i shërbejnë trajnerit dhe stafit që të reflektojnë për vazhdimësinë, në mënyrë që të gjendet zgjidhja për të dalë nga ky ngërç ku janë kapur.

Vetëm 11 pikë në po kaq ndeshje nuk i kanë menduar asnjëherë në Kukës, për më tepër që këtë sezon bënë shumë investime në merkato, sidomos me lojtarët e huaj.

LARGIMET – Nga java në javë në Kukës filloi të dalë në pah problemi me lojtarët e huaj, pasi vetëm pesë prej tyre lejohet të luajnë njëkohësisht në një ndeshje.

Në përballjet e fundit Dobi për fat i ka pasur të gjithë të gatshëm për të luajtur, por pa pasur mundësi të aktivizojë në fushë më të mirët, për shkak të rregullores.

Në një situatë të tillë, duke qenë se ky do të jetë një problem për të gjithë sezonin, në Kukës janë duke pritur merkaton e janarit për të bërë disa “skarcime” të të huajve, sidomos atyre që nuk janë të pazëvendësueshëm.Burimet në klub pohojnë për gazetën se kanë nisur negociatat që tani me disa lojtarë që të ndërpresin kontratën.

Në fakt, Kukësi nuk e ka luksin të largojë ndonjë pa marrëveshje, sepse pjesa më e madhe e tyre kanë kontrata dyvjeçare dhe kostoja e largimit do të ishte e madhe.

Një opsion për në janar, nëse nuk arrihet marrëveshja për t’i larguar, janë edhe huazimet të paktën deri në fund të vitit, në mënyrë që të lirohen paksa edhe nga rroga e tyre.

Burime për gazetën pohojnë se bëhet fjalë për tre-katër lojtarë që kanë dalë shumë shpejt jashtë planeve dhe pritet vetëm janari për të gjetur zgjidhjen.

Është formula e kampionatit ajo që i ka penalizuar dhe në një situatë të tillë për më pak të rëndësishmit do të shihet mundësia e largimit.