Vllaznia ka mbyllur stërvitjet intensive ditën e sotme në kuadër të ndeshjes me Partizanin, që do të luhet nesër në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Për shkodranët ka qenë në terrenin stërvitor edhe mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, i cili është dëmtuar në sfidën e fundit ndaj Teutës, por është akoma në mëdyshje aktivizimi i tij.

Rikthimi i tij do të ishte mjaft i vyer për këtë ndeshje ndaj Partizanit, duke rritur kualitetin në prapavijë. Klubi shpreson që futbollisti në fjalë të riaftësohet për këtë ndeshje dhe përgatitësi atletik, bullgari Tzokov, ka treguar kujdes të veçantë.

Ndërkohë, si ish në këtë sfidë do të jenë plot katër futbollistë nga Vllaznia. Kështu, bëhet fjalë për Esat Malën, i cili prej vitesh ka qenë pjesë e Partizanit, duke fituar edhe titullin në Superiore me “demat e kuq”.

Më pas, vjen Herald Marku, që ishte vendimtar disa herë në repartin e mesfushës edicionin e vjetshëm. Poashtu, edhe dy mbrojtësit, Esin Hakaj dhe Dajan Shehi, ka qenë më parë pjesë e të kuqve të kreyqytetit.
Maringlen ZHIVANI