Tre lojtaret e huaja të ofruara në merkaton e janarit, duket se nuk do t’i mjaftojnë Vllaznisë për të arritur objektivin e saj për të qenë në mes katër skuadrave më të mira të kampionatit.
Ekipi i drejtuar nga trajnerët Besnik Lisha dhe Artan Kalaja sot ka luajtur një takim shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht përcaktues, atë ndaj Barleti Volej që ka qenë edhe rivali kryesor i Vllaznisë në garën për vendin e katërt të renditjes.
Vajzat kuqeblu pavarësisht përpjekjeve të bëra, nuk ia kanë dalë të fitojnë teksa e kanë humbur këtë ndeshje me shifrat 3-0. Seti i parë ka patur shumë rivalitet dhe është mbyllur me shifrat 26-24 në favor të Barletit.
Në dy setet e tjera ndërkohë vendasit e kanë patur disi më të lehtë fitoren dhe i kanë mbyllur ato me shifrat 25-22 dhe 25-21 e kësisoj ka fituar edhe krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0.
Me këtë humbje, Vllaznia tashmë rrezikon seriozisht vendin e katërt sepse Barleti ndodhet tre pikë para në renditje. Marrja e tre lojtareve të huaja, Carioca, Perez dhe Joçiç duket se nuk e dha efektin e duhur në skuadër megjithatë përderisa ka ende shpresa, ekipi kuqeblu do të provojë deri në fund për të arritur objektivin e tij.