Pesë ndeshjet e para kanë qenë të vrullshme për të. Ka shënuar pesë gola dhe kësisoj spikati menjëherë duke qenë pika e referimit tek Vllaznia. Sulmuesi braziliani Silvio Rodrigues Pereira Junior u shndërrua shpejt në idhullin e tifozëve.
Kjo bëri që edhe në media të flitet menjëherë me superlativa për këtë lojtar, madje edhe për një dyndje ofertash apo gjëra të tilla. Një situatë e tillë duket se e ka çorientuar paksa brazilianin i cili prej tre ndeshjesh nuk po shënon.
Nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë në sfidën me Erzenin, më pas në Shënkoll dhe së fundi edhe ndaj Vorës, ndonëse rastet nuk i kanë munguar. Mungesë fati apo njëfarë çorientimi tek braziliani?
Drejtuesit e Vllaznisë në fakt duan t’ia lënë të parës sepse rastet i ka patur për të shënuar por mungesa e fatit ndoshta e ka penguar. Përpos kësaj, tashmë të gjithë ekipet kundërshtare e dinë se njeriu që duhet të bëjnë kujdes tek skuadra shkodrane është pikërisht Zhunior dhe marrin masat për këtë gjë.
Megjithatë nga njëra anë kjo ka shërbyer për mirë sepse kanë shënuar lojtarët që luajnë pas tij dhe shembulli më i mirë ishte ndeshja e fundit ku shënuan Lika, Hajdari dhe Zogaj.
Zhunior ndërkohë ka asistuar dhe ka krijuar hapësirat e duhura për ta, duke e bërë kësisoj sërish detyrën e tij më së miri. Edhe golat do të vijnë sërish me siguri.
© shkodrasport.com