Në Lezhë kanë nisur të bëjnë planet për sezonin e ri, natyrisht duke parë që edhe në këtë që sapo lamë pas, objektivi për ngjitjen në Superligë nuk u realizua prandaj gjërat tani e tutje duhen bërë edhe më mirë. Drejtuesit e klubit kanë ndër mend të mbajnë një pjesë të titullarëve të sezonit të fundit, kuptohet ata që mbajtën peshën e skuadrës dhe ndër emrat që mendohet të jenë sërish pjesë e Besëlidhjes janë edhe tre futbollistë shkodranë.

Bëhet fjalë për mbrojtësit Klodian Semina e Kledi Dibra si dhe për mesfushorin Samet Hepaj. Nuk përjashtohet mundësia që atyre t’u bashkohet edhe ndonjë tjetër gjatë merkatos së verës megjithatë për momentin, vetëm tre futbollistët e mësipërm janë të sigurtë. Natyrisht që ngjitja e Vllaznisë B në kategorinë e parë ku merr pjesë edhe ekipi lezhjan, bën që djemtë e rinj shkodranë tashmë të mos preferojnë skuadrat fqinje si Besëlidhja, Tërbuni apo ndonjë tjetër por të luajnë në qytetin e tyre me ekipin e dytë të klubit kuqeblu.