Pavarësisht tre lojtareve të huaja që i janë bashkuar së fundmi, Vllaznia në volejboll për femra nuk ia ka dalë të fitojë ndaj një ekipi rival siç është ai i Tiranës. Në ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës në sallën sportive “Fahirje Hoti” të kryeqytetit, kanë qenë volejbollistet bardheblu që kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0.

Por duhet thënë se nuk ka qenë një fitore e lehtë. Sidomos dy setet e para janë shoqëruar me një rivalitet të fortë dhe mbase mund të ishin fituar edhe nga Vllaznia. Në të parin ajo ka udhëhequr deri në shifrat 22 me 20 por në atë moment, një vendim i diskutueshëm i gjyqtarëve, jep një pikë për Tiranën e këtu ajo merr kthesën duke e fituar setin në shifrat 25 me 22.

Edhe më shumë rivalitet në të dytin i cili mbyllet 26 me 24 po për vendaset. Humbja e këtyre dy seteve demoralizon vajzat shkodrane që në të tretin nuk arrijnë të paraqesin asgjë dhe e humbin atë lehtësisht me shifrat 25 me 14 dhe kësisoj krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0.

Një humbje që natyrisht nuk është pritur mirë në kampin shkodran pasi shpresohej që me ardhjen e tre lojtareve të huaja, gjërat do të ndryshonin, por nuk ka ndodhur kështu. Dhe në fakt është e logjikshme. Braziliania Karioka, kolumbiania Pereza dhe serbja Joçiç janë bashkuar me ekipin vetëm ditët e fundit dhe duan kohën e vet që të ingranohen me pjesën tjetër të vajzave dhe me lojën e tyre.

Trajnerët Lisha e Kalaja janë të bindur se do ia dalin të ndërtojnë një ekip të fortë dhe pretendent dhe tashmë vëmendja duhet përqendruar maksimalisht tek sfida e pas dy javëve me Barleti Volej në Tiranë, ekip ky që është rivali kryesor i Vllaznisë për vendin e katërt dhe zonën plej- of.