Besëlidhja është mundur thellë ditën e sotme me rezultatin 4-0 nga Dinamo në javën e pestë të kampionatit. Blutë e kryeqytetit e kanë mbyllur në mënyrën më të mirë pjesën e parë, kur në minutën e 40-të dhe 42-të kanë shënuar dy gola të shpejtë me anë të qendërsulmuesit Taulant Marku.

Në pjesën e dytë, lezhjanët shfaqen disi më rrezikshëm tek porta e Simonit, por përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme. Në minutat e fundit të ndeshjes, Dinamo shënon edhe dy gola të tjerë me Markun sërish dhe me mesfushorin shkodran, Ersil Ymeraj, duke i dërguar shifrat në 4-0.

Deri në minutat e fundit, vendasit qarkullojnë topin për të administruar fitoren e thellë, ndërsa miqtë tashmë nuk bëjnë asgjë, teksa çdo përpjekje e tyre dështon qysh në nisje. Në këto kushte, Dinamo e mbylli lojën me rezultatin 4-0.

Kështu, dinamovitët fitojnë bindshëm me një rezultat të thellë, që mund të ishte edhe më i thellë, ndërsa Besëlidhja merr një goditje të rëndë, që do t’i kushtojë shumë ndoshta në ndeshjet e ardhshme. Pas kësaj humbjeje, lezhjanët renditen në vendin e parafundit në tabelën e renditjes me vetëm katër pikë.
Maringlen ZHIVANI