Të humbasësh një derbi përjetohet në mënyrë shumë të vështirë dhe duhen disa javë për ta marrë veten, por ky i fundit ishte akoma më i dhimbshëm për Partizanin. Tirana u ndodh me një lojtar më pak në fushë që në minutën e 35-të dhe kjo nuk e pengoi aspak të fitonte me shifrat e pastra 0-2 dhe t’i jepte “demave” një goditje, të cilën nuk e merrnin ndër dekada. Por Partizani diti ta bëjë mësim atë humbje dhe përveçse reagoi, tregoi se është një skuadër me sedër, cilësi që vjet nuk është se u duk ndokund.
Ku duket karakteri i fortë? Vinte pas derbit të humbur në mënyrën më të keqe dhe luante në shtëpinë e një tjetër pretendenteje, Vllaznisë, ku nuk fitonte prej tri vitesh. U gjend në disavantazh në minutat e para të ndeshjes, por as kjo goditje nuk e frenoi dhe në të dytën përmbysi gjithçka.
Të bësh këtë që bëri Partizani në Shkodër kërkon forcë të madhe. Pikërisht në atë sfidë, të kuqtë kanë treguar qartë disa cilësi, të cilat i japin hapin e një skuadre që është gati t’i shkojë deri në fund titullit kampion.
1. Menaxhimi i situatave të vështira. Këtë virtyt e shpjegon pastër ajo që thamë më lart. E vetmja gjë që duhet thënë është se kjo në Shkodër është përmbysja e dytë në shtatë javë, pas asaj ndaj Egnatias.
2. Partizani nuk shënonte prej shtatë ndeshjesh me aksion të rrjedhshëm dhe më në fund ndaj Vllaznisë u zhbllokua për sa i përket këtij aspekti, duke shënuar dy gola me dy sulmuesit kryesorë, Xhuliano Skukën dhe Da Silvën. Aftësi e madhe padyshim është edhe fakti që të kuqtë janë ekspertë në shfrytëzimin e goditjeve të ndaluara, sepse kanë shënuar 5 gola deri më tani në këtë mënyrë.
3. Bekim Rexhepi u gjend mes kritikave pas ndeshjes me Tiranën, por me atë paraqitje ndaj Vllaznisë, riktheu qetësinë mes katërkëndëshit. Gardiani tregoi qartë se është një pikë shumë e fortë për skuadrën e tij dhe do të vazhdojë ta ndihmojë në rrugën për titullin kampion.
4. Bruno Telushi dhe Matondo mungonin në “Loro Boriçi”, por gjatë gjithë këtij starti të kampionatit Partizani nuk e ka pasur kurrë skuadrën e plotë prej dëmtimeve. Edhe pas këtij defekti skuadra ka arritur të fitojë falë stolit dhe kjo është padyshim një garanci.
5. Guximi është vlerë që në futboll nëse nuk e ke, digjesh. Kolela dhe drejtuesit e Partizanit në këtë sezon duket se e kanë me bollëk. Mjafton fakti që Rexhepit i besuan edhe ndaj Vllaznisë dhe kur situata ishte e tensionuar dhe mund diskutohej edhe vendi i tij, Kolela aktivizoi të rinj si Hodo dhe Zekolli.
6. Kjo fitore ndaj Vllaznisë është mjaft e rëndë dhe i jep Partizanit aq moral, sa të ketë shansin të vijojë një seri triumfesh të njëpasnjëshme, duke nisur që me Orikun ditën e mërkurë.