Basketbolli, shkolla, dashuria. Për të parën po sakrifikon shumë, për të dytën ende nuk është konkretizuar dëshira e saj, ndërsa për të tretën, është në pritje. E kemi fjalën për basketbollisten e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare Edona Berranija. Shumëkush e njeh atë vetëm në parketin e pallatit të sportit, por dëshira për ta njohur edhe jashtë, na çoi në këtë intervistë disi ndryshe me të.
-Përshëndetje Edona! Faleminderit që pranove të jesh pjesë e kësaj interviste.Qëllimi ynë është të të njohim më shumë se Edona ne basketboll.
-Faleminderit nga ana juaj për këtë intervistë.
-Edona,je një vajzë që ke treguar guxim, forcë dhe këmbëngulje. Si te lindi ideja që të futesh në një sport të tillë si basketbolli? Kush qe shtysa e parë për ty?
– Në fakt ishte një ide e momentit, ku gjatë një bisede me familjen shpreha dëshirën te merresha me një sport, por jo konkretisht me basketbollin. Aprovimi ishte fillimisht nga babai, i cili më premtoi mbështetje maksimale nëse do nisja një rrugë të tillë. Rastësia bëri që profesoresha e fiskulturës në shkollën “Xheladin Fishta”, Aferdita Rakaj, njëkohësisht edhe ndihmëstrajnere në ekipin e të rejave të basketbollit të Vllaznisë të më kërkonte të bëhesha pjesë e këtij ekipi. Nuk hezitova të pranoja pasi kisha kohe që 11 vjeçe që prisja një moment të tillë. Ishte pikërisht ky moment që më zhvendosi drejt pasionit më të madh të jetës.
-Të pëlqejnë sportet në përgjithësi apo je e fokusuar vetëm në drejtimin tënd?
-Jam totalisht e fokusuar tek basketbolli duke qenë se është kryefjala e cdo dite.
-Na trego pak për natyrën tënde brenda edhe jashtë sportit…
-Në përgjithësi jam natyre e qetë, si brenda dhe jashtë fushe, në arritjen e objektivave te mia, gjithmonë me vullnetin dhe dëshirën e mirë të arrij tek suksesi. Vlerësoj veten duke mos u mposhtur asnjëherë nga mërzia.
-Po familja si e ka pritur zgjedhjen tënde drejt basketbollit? Si ka qenë reagimi i tyre dhe a ishte i vështirë fillimi edhe pranimi i kësaj rruge për to?
– Fillimisht e kisha shumë të vështirë të shprehja dëshirën në familje për t’u marrë me sport sepse kisha frikë reagimin nga ana e tyre. Mentaliteti për fat të keq ishte i tille që pengonte vajzat të merreshin me sport. Ndryshe nga pritshmëritë e mia ndodhi e kundërta, e pritën shumë mirë të gjithë. Veçoj babain i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë
shtysa ime më e madhe, tifozi personal dhe fansi im më i madh.
– Si është karakteri i Edonës jashtë basketbollit? A të shoqëron po ai vrull edhe jashtë fushës për të arritur atë çfarë do?
– Siç e përmenda dhe më parë, e vlerësoj shumë veten, di çfarë jam e aftë të bëj, di sa kam aftësi të luftoj për diçka prandaj dhe guxoj e këmbëngul duke dhënë maksimumin tim që të arrij çfarë dua.
– Gjatë ndeshjeve jo vetëm ju që ndesheni në lojë, por të gjithë ne përjetojmë emocione. Si i manovron një basketbolliste të gjitha emocionet, frikën edhe ankthin në fushë? Cili është sekreti pas hijes tënde?
-Emocionet e një ndeshjeje është shumë e vështirë t’i manovrosh pasi të mund gjithmonë ajo ideja që duhet të japësh më të mirën. Në fillimet e mia me basketbollin mund të them që më dukej e pamundur të çlirohesha nga emocionet dhe frika që të ngjallte fusha e lojës dhe perballja me kundershtarin. Me kalimin e viteve eksperienca kthehet në favorin tënd, që do të thotë emocionet apo frika mbarojnë sapo ti kalon minutën e parë të ndeshjes.
– Një vajzë si Edona gëzon vëmendje jo vetëm kur është në një përballje, por edhe në përditshmëri. Si e përjeton këtë marrëdhënie me njerëzit në përgjithësi edhe me djemtë në veçanti sepse ngacmimet për një vajzë kaq të bukur dhe me linja perfekte nuk duhet të mungojnë??
– Gjithmonë mundohem të jem sa më e dashur dhe e afrueshme me njerëzit ne pergjithësi dhe përcjell anët e mia më pozitive, pastaj në lidhje me djemtë, kokën drejt gjithmonë (qesh).
– Në rrjetet sociale Edona ngjason me një modele pa asnjë lloj dallimi. Të komplimentoj. A mos është edhe fusha e modelingut edhe një pasion i dyte pas topit të basketbollit?
– Shumë faleminderit për komplimentin. Nuk mund të them që e shoh modelingun si një tjetër pasion timin, por nëse një ditë do me jepej mundësia do e provoja thjesht për kenaqësi jo pasion.
– Është e qartë qe basketbolli është një pasion i yti i pandashëm. Po çfarë tjetër di të bëjë Edona po kaq mirë që publiku nuk e di? Me cfarë e kalon pjesën tjetër të lirë edhe pse faktikisht mbetet fare pak e tillë?
– Një basketbolliste e cila ka mbaruar studimet për Ekonomik-Financë. Momentalisht jam në punë, jo në profilin tim pasi jam në pritje të përfundimit të masterit. Angazhimet e përditshme si sporti, shkolla dhe puna janë ato të cilat zënë çdo pjesë të ditës dhe nuk më lënë hapësirë për argetime me familjen apo shoqerinë. Gjithsesi me aq sa mundem, mundohem të mos e le pas as këtë pjesë.
– Mesa duket të gjithë ne kemi globin, ti ke topin e basketbollit. A mendon se kjo fushë është edhe e ardhmja jote apo ke plane të tjera larg këtij pasioni?
– Padiskutim që basketbolli do mbetet gjithmonë pasioni më i madh i jetës, përkushtimi dhe angazhimi im do jetë gjithmonë maksimal për përmbushjen e ëndërrave te mia. Mendoj se jam në moshën dhe kohën e duhur për të dhënë më të mirën në këtë sport. Kanë kaluar plot 11 vite e lidhur me këtë sport dhe nuk di të them edhe sa vite të tjera do kalojnë pasi shkëputja ime me basketbollin do jetë vetëm atëherë kur te shoh që nuk kam çfarë jap më nga vetja ime. Në fakt, e shoh shumë të largët atë ditë.
– Edona gjithë kjo vajze kaq e bukur e seksi nuk mund të të lë pa pyetur pak nga privatësia jote (pa ecënuar atë). A ekziston dikush në jetën tënde e nqs jo, si e imagjinon atë (përveçse të gjatë)?
– (Ah kjo pyetja). Së pari kam deshirë që të pëlqejë basketbollin, por jo domosdoshmërisht të jetë basketbollist. S’ka rëndësi nëse nuk është shumë i gjatë, mjafton të mos jetë më i shkurtër se unë!!!. Të jetë djalë i mirë, të dijë të më respektojë. Mirëkuptimi edhe respekti e dashuria mes nesh besoj janë gjëja më e rëndësishme.
-Të falenderoj shume Edona për cdo fjalë të sinqertë pasi të tilla ishin të gjitha. Të uroj vetëm suksese e të mira e sa më shumë triumfe.
-Falenderimi është për ty Pamela për kohën e bukur dhe për intervistën.Suksese gjithashtu.
Intervistoi: Pamela RROKU