Tek Vllaznia janë bërë sëbashku plot 13 vite më parë. Atëherë ishin vetëm 17 vjeçarë, i përkasin të njëjtës datëlindje- 1987 dhe janë i njëjti brez sportistësh. Fotoja e mësipërme është bërë pikërisht atëherë, në vitin 2004. Sot që janë nga 30 secili, mund të bashkohen sërish për të luajtur për skuadrën e qytetit të tyre të lindjes. Bëhet fjalë për Gilman Likën, Alsid Tafilin dhe Xhevahir Sukajn. Dy të parët aktualisht janë pjesë e kuqebluve dhe tashmë presin edhe të tretin.
Kapiteni i kësaj skuadre- Lika në një prononcim për mediat, ka shprehur bindjen e plotë se edhe Sukaj do t’u bashkohet atyre për vazhdimin e sezonit. “Unë shpreh bindjen se Xhevahiri shumë shpejt do të bëhet pjesë e skuadrës sonë. Ia kam kërkuar edhe unë si shok i afërt i tij, pasi një futbollist i tillë i duhet Vllaznisë në majën e sulmit. Këtë çështje po e ndjekin edhe drejtuesit më të lartë të klubit dhe ata të bashkisë, të cilët kanë biseduar me të. Nëse nuk ka avancime të bisedimeve për kalimin e Sukajt te Vllaznia, kjo gjë ka ardhur sepse menaxheri i tij ka qenë në pritje të përgjigjes së një klubi jashtë vendit. Por, me sa jam në dijeni, Sukaj nuk ka ndërmend të presë gjatë për klubet e huaja dhe do t’i thotë “po” Vllaznisë”. Zyrtarizimi i Sukajt te Vllaznia mund të jetë çështje ditësh”, – ka thënë dje ai.
© shkodrasport.com