Kombëtarja Shpresa ka triumfuar me përmbysje ndaj Andorrës në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Skuadra iberike kaloi e para në avantazh në minutën e 2-të, falë një penalltie të fituar në sekondën 50.

Pavarësisht tentativave, kuqezinjtë nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës në fragmentin e parë të lojës, teksa duhet të prisnin pjesën e dytë, për të realizuar fitoren e karakterit.

Ishte mbrojtësi Adolf Selmani ai që i hapi rrugën përmbysjes në minutën e 62-të, falë një goditje të saktë me kokë. Për të kaluar në avantazh Shqipërinë U-21 mendoi Xhakomo Vrioni, i cili realizoi me kokë në minutën e 85-të.

Kapakun këtij triumfi ja vendosi sulmuesi Bullari, edhe ky i hedhur nga stoli, duke shënuar golin e tretë në sekondat e fundit.

FT: SHQIPËRI U21 – ANDORRË U21 3-1

A. Selmani 62′, Vrioni 85′, Bullari 90+4′ / Alaez 2′ (p)