Mbrëmja e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi”, duke përjashtuar ato 6-7 minuta pak të sikletshme në fund, ishte mjaft e gëzuar për lojtarët e Dinamos: lojë e bukur, 3 gola të shënuar, 3 pikë, vendi i 2-të dhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për skuadrën nga presidenti Adrian Bardhi.

Kënaqësi profesionale dhe… financiare. E vërteta është se te Dinamo, ashtu siç trajneri Ilir Daja e vuri në dukje pas fitores në Shkodër, ka korrektësi për sa i takon pjesës financiare.

Lojtarët dhe stafi teknik kështu janë shumë të qetë në punën e tyre, pa pasur asnjë lloj shpërqendrimi dhe sigurisht që ky faktor ndikon në performancën e skuadrës në fushë.

Megjithatë, për t’i motivuar edhe më shumë të tijtë, presidenti Bardhi ka vendosur që të japë shpërblimin e përmendur më sipër pas asaj fitoreje mjaft të rëndësishme, duke e shtuar edhe më shumë humorin e futbollistëve. Për disa fitore të veçanta ka premio, disa të tjera janë detyrim për ekipin.