Skënderbeu mbyll sot kampionatin dhe përballë korçarëve do të jenë shkodranët e Vllaznisë.

Në Korçë janë përgatitur për festë, pasi do të ngrenë edhe titullin e tetë në historinë e tyre. Por, sikurse edhe ka ndodhur në ndeshjet e fundit, në fushë nga minuta e parë do të jenë sërish ata lojtarë që kanë luajtur më pak.

Vetë tekniku Daja e ka shprehur se takimet e fundit u shërbejnë edhe për të vendosur mbi lojtarët që të mbajnë dhe ata që do të huazohen vitin e ardhshëm.

PROBLEMI – Jo çdo gjë shkon mirë në kampin bardhekuq. Pas ndeshjes së fundit me Luftëtarin, që Skënderbeu e humbi në Gjirokastër me rezultatin 3-1, nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja nuk ka qenë sulmuesi Ali Sowe.

Kryegolashënuesi i Superiores ka pësuar një dëmtim ndaj bluzinjve dhe nuk ka mundur të stërvitet dot. Kjo ka bërë që në ndeshjen me Skënderbeun të mos grumbullohet, duke bërë që ta mbyllë kampionatin me 21 gola.

Kështu, Guri do të duhet të shënojë dy herë në portën e Flamurtarit sot për të fituar “Këpucën e Artë”. Gjithsesi nuk është ky problemi, pasi Sowe rrezikon edhe më shumë: të humbasë finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Laçit.

Futbollisti nga Gambia pritet të kryejë vizitat mjekësore dhe të përcaktohet shkalla e dëmtimit. Sytë tani janë nga mjekët. Sigurisht trajneri Daja do e donte të gatshëm për ndeshjen e kupës, që luhet të dielën prej orës 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Synimi është që ky sezon të mbyllet me të dy trofetë dhe motivimi është i madh për ta fituar Kupën e Shqipërisë, që korçarët nuk e kanë fituar asnjëherë. /EDS/