Zbardhen detaje tronditëse pas ngjarjes së rëndë, ku një boksier bullgar humbi jetën në ring, në një aktivitet boksi që u zhvillua javën e kaluar në Shkodër.
Boksieri bullgar i cili humbi jetën në Shkodër fundjavën e shkuar, nuk ishte Jezus Velichkov, por amatori Boris Stancov i cili ka marrë pjesë në këtë aktivitet me dokumenta të falsifikuara.
Boksieri 22-vjeçar humbi jetën pas një arresti kardiak në raundin e katërt, pa patur ndonjë sulm të ashpër ndaj tij.
Nuk dihet ende arsyeja se përse stafi dhe trajneri bullgar e ka rrezikuar Boris Stancov të garojë me dokumente false të një kushëriri të tij boksier profesionist.
I pyetur nga mediat bullgare, vetë Velickov, i cili u njoftua se ai vetë humbi jetën, në momentin e parë, ka theksuar: “Kishte që nga viti 2018 që mbante kartën time të identitetit, ai më thoshte se nuk ka problem pasi trajneri e dinte këtë gjë.”
Ajo që është dhe më e çuditshme është fakti që të dy boksierët nuk kanë ndonjë ngjashmëri me njëri-tjetrin.
Përpos kësaj, për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë të boksit profesionist, duhen katër dokumente kryesore: Një licencë prej boksieri profesionist, autorizim, lejen e federatës, si dhe kartelën mjekësore.
Nuk dihet nëse të gjitha këto dokumente kanë qenë dhe në rregull apo të falsifikuara që janë paraqitur ndaj organizatorëve të cilët më pas e lejuan të marrë pjesë në këtë aktivitet.
Gjithçka për identitetin e rremë duket se është zbuluar nga ky status në Facebook i Jezus Velickov ku i drejtohet me një mesazh prekës kushëririt të tij që humbi jetën: “Pusho në paqe kampion, ti do të jesh gjithmonë në zemrat tona.”
Ndërkohë Bordi drejtues i Unionit të Boksir Profesionist Bullgarë ka filluar një mbledhje disaorëshe pasditen e së hënës për të zbardhur më tepër ngjarjen e rëndë. /a.m/NOA.al