Një takë drejt e në kokë, një ndër ndërhyrjet më të ashpra në Champions Ligë ishte ajo e Thomas Mylerit ndaj Niko Tagliafikos në ndeshjen që Bajerni i Mynihut barazoi 3-3 me Ajaksin në “Amsterdam Arena”, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Goglat e shortit në UEFA rezervuan përpalljen e fortë Bajern-Liverpul për fazën e ardhshme të Champions-it. Tomas Myler, i ndëshkuar me karton të kuq për atë ndërhyrje nuk mund të luajë në ndeshjen e parë kundër “Reds” në “Anfield” më 19 shkurt.

Ndërkohë, dje UEFA ka publikuar vendimin se sulmuesi gjerman do të dënohet edhe me një ndeshje tjetër për atë ndërhyrje të rëndë. Në total janë dy ndeshje që mesfushori gjerman nuk mund të luajë, të dyja kundër Liverpulit (ndeshja e kthimit luhet në “Allianz Arena” më 13 mars). Në rast se Bajern nuk ia del të kualifikohet për më tej, atëherë sulmuesi 29-vjeçar i jep fund me atë ndeshje kundër holandezëve eksperiencës së tij në Champions për këtë sezon.

Kjo do të jetë një goditje e rëndë për klubin, i cili përveç Molerit nuk ka në dispozicion edhe lojtarë si Toliso apo Hames Rodrigez, të cilët janë të dëmtuar. Por shpresat nuk duken se kanë përfunduar për skuadrën gjermane. Klubi ka vendosur së bashku me lojtarin që ta apelojnë këtë vendim të qeverisë më të madhe të futbollit europian. Avokatët e Bajernit do të paraqesin një plan për të justifikuar veprimin e lojtarit, i cili mendohet të ketë qenë vetëm një moment pakujdesie dhe jo qëllim për të dëmtuar kundërshtarin. Skuadra bavareze është kthyer sot nga Doha ku qëndroi për një periudhë njëjavore.

Niko Kovaç dhe lojtarët e tij i janë nënshtruar një minifaze përgatitore në kontinentin e nxehtë duke shmangur të ftohtin gjerman. Ndeshja e parë për Bajernin do të jetë ajo ndaj Hofenhaimit në transfertë. Bavarezët ndodhen në vendin e dytë në tabelën e renditjes me 6 pikë më pak se skuadra e Borusias së Dortmundit, e cila kryeson tabelën e renditjes.