Në qendrën stërvitore të Realit të Madridit kanë rënë kambanat e krizës. Që duket më e thellë se sa vetë rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit dhe veçanërisht dy humbjet e rënda në shtëpi kundër Barcelonës (0-4) dhe Milanit në Champions (1-3).
Në Madrid kanë nisur të flasin për një krisje të thellë, duke nënvizuar se Karlo Ançeloti ka humbur dhomat e zhveshjes. Nëse diçka e tillë do të thuhej në gusht apo në shtator askush nuk do ta besonte, por faktet janë kokëforta dhe Reali është zhytur në krizë loje e identiteti. Aq sa dhe figura babaxhane e Karlo Ançelotit është vënë në pikëpyetje dhe nëse nuk do të ketë ndërrim kursi, ndoshta italiani mund të mos e mbyllë sezonin. Në Madrid ka nisur të flitet për Ksabi Alonson (Leverkusen)…
BESIMI NGA KLUBI – Drejtuesit e Realit të Madridit, me Florentino Perezin në krye, përcjellin qetësi ndaj Ançelotit. Natyrisht që ka shqetësime për atë që ekipi po ofron në ndeshjet e fundit. Në të njëjtën kohë, ka edhe besimin se nëse ka dikush që mund ta kthejë situatën, ai është trajneri italian, me kontratë në fuqi me madrilenët deri më 30 qershor 2026.
Kjo lidhje u rinovua dhjetorin e kaluar dhe pas nënshkrimit, Liga e Kampionëve dhe Liga iu bashkuan historisë së Realit të Madridit. Brenda besimit që transmetohet, duket e palogjikshme të flitet për situata ekstreme që mund të sjellin vendime drastike, diçka që nuk u ka shkuar në mendje drejtuesve.