Mbrëmjen e së dielës trajneri Rudi Vata është shfaqur sërish në media. Duke folur në një lidhje direkte nga Shkodra për emision sportiv në televizionin “Ora News” në kryeqytet, ai sërish ka lëshuar akuza. Më së shumti ndaj disa prej drejtuesve të klubit të cilët sipas tij, nuk ndajnë të njëjtat mendime me të për punën që bëhet dhe atë që duhet bërë tek Vllaznia. Thënë ndryshe, nëse deri dje ka patur akuza direkte në drejtim të administratorit Shaba, tashmë spektri I tyre përfshin më shumë njerëz.

“Tek Vllaznia ka klane dhe këto klane nuk pajtohen me punën time. Megjithatë unë kam punë vetëm me kryetarin e Bashkisë Lorenc Luka dhe meqenëse me të, raportet janë të mira, nuk kam pse shqetësohem”-ka thënë Vata në këtë lidhje nga Shkodra për televizionin “Ora News”. Përmendja e klaneve, e njerëzve që nuk e dojnë, e shumë e shumë gjërave të tjera kundër klubit, përbëjnë çudinë e rradhës për sjelljen e tij ndaj këtyre njerëzve që e kanë mbrojtur shumë gjatë gjithë kohës. Në çdo rast, drejtuesit e klubit kanë dalë edhe në media duke I dhënë garancinë e plotë në punën e tij megjithatë mes palëve duket se asnjëherë nuk ka patur qetësi. Prandaj dhe Vata vazhdon të flasë. Këtu nuk është probleme se theu heshtjen e shtypit por sepse ngjalli polemikat me drejtuesit e klubit sërish. Për më shumë, kjo dalje në media e trajnerit Vata, ndodh në një moment kur skuadra e Vllaznisë prej ditësh është në heshtje shtypi dhe në kushte të tilla do qëndrojë deri pas ndeshjes të së enjtes ndaj Skënderbeut. E ndërsa drejtuesit e klubit kanë vendosur që askush të mos flasë, trajneri bën të kundërtën. Madje, pa I marrë leje askujt. Kështu kishte bërë edhe pak ditë më parë teksa kishte ndërhyrë përmes linjës telefonike në një nga televizionet lokale të Shkodrës. Për atë rast, drejtuesit e klubit thanë se I kishin dhënë një vërejtje. Por ajo nuk ka vlejtur aspak. Madje në këtë daljen e dytë, Vata sërish ka folur dhe akuzuar drejtues të veçantë në klub. I pyetur në lidhje me këtë gjë, nënkryetari I Bashkisë Shkodër dhe njëkohësisht kryetari I bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia, z. Ritvan Troshani, nuk ka dashur të përgjigjet në mënyrë direkte por ka deklaruar: “Më kanë njoftuar për daljen e trajnerit Vata në një nga ekranet e televizionit. Për momentin nuk di ç’të them asgjë pasi më shumë jam I përqendruar tek hartimi I Buxhetit të sportit që do kalojë në mbledhjen e pas disa ditëve në Këshillin Bashkiak. Mendoj se kjo çështje është shumë më e rëndësishme sesa ajo çfarë thoni ju”. Duket qartë se ai kërkon të shmanget. Ndoshta sepse nuk është konsultuar me drejtuesit e tjerë të klubit për këtë çështje ngaqë është marrë me probleme të tjera. Më pas vjen edhe pyetja tjetër për Troshanin: Po për akuzat ndaj drejtuesve të klubit, çfarë mund të thoni? Edhe këtu sërish, numri 2 I Bashkisë, ndonëse nuk ka qenë ndonjëherë futbollist, kërkon të bëjë bukur një “finte” teksa thotë: “Vllaznia nuk e ka luksin në këto momente të prodhojë polemika. Na intereson mbi të gjitha skuadra dhe duhet të shohim përpara. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme për të luajtur dhe nëse dalim me sukses, do ta shihni që nuk do dëgjoni më gjëra të tilla”.
Gjergj KOLA