Klubi Vllaznia në vitin 2013 mund të kalojë sërish në duart e një biznesmeni që do të marrë rolin e drejtuesit të tij. Kjo nuk është ende një vendim I marrë përfundimisht por drejtuesit e Bashkisë Shkodër duket se janë duke çuar ndër mend një ide të tillë. Në fakt, kjo ide ka kohë që qarkullon në këtë qytet por dje është konfirmuar zyrtarisht për gazetën “Shkodra Sport” nga kryetari I Bordit Mbikqyrës të Shoqërisë Aksionere Vllaznia, z. Ritvan Troshani që është njëkohësisht edhe nënkryetari I Bashkisë së këtij qyteti. Duke folur për gazetën ai ka thënë: “Ajo që ju thoni është mëse e vërtetë. Ne si Bashki jemi të hapur për afrimin e ndonjë biznesmeni me të cilin mund të bashkëpunojmë për të mirën e Vllaznisë. Ideja është që të vijë një njeri për ta menaxhuar më mirë, të investojë edhe ai pjesën e tij dhe në këtë kontekst edhe punët mund të bëhen më mirë”. Në fakt, nga njerëz që qëndrojnë pranë klubit shkodran dhe që në fakt nuk kanë qenë të autorizuar për të deklaruar gjëra të tilla, ditët e fundit është thënë në mediat lokale se Bashkia Shkodër ka hyrë në negociata me njerëz të interesuar për blerjen e aksioneve. Kjo gjë mohohet nga nënkryetari Troshani që për gazetën tonë do të saktësonte: “Në fakt ne nuk kemi autorizuar askënd të flasë në emër të Bashkisë apo klubit për këtë çështje. Pastaj nuk është e vërtetë që jemi në negociata me biznesmenë të ndryshëm për shitjen e aksioneve të klubit Vllaznia. Dua të them se për momentin kjo nuk është e lehtë dhe përpos kësaj, duhet ta dinë të gjithë se shitja e aksioneve të klubit Vllaznia bëhet përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe është një procedurë që do kohë ndoshta. Duke qenë kështu, mendojmë se zgjidhja më e mirë e mundshme është ndoshta kalimi I klubit në përdorim të ndonjë biznesmeni që mund të shfaqë interes”. Gjërat në këtë mënyrë janë mëse të qarta. Klubi Vllaznia për momentin nuk e ka ndër mend të shesë asnjë aksion edhe për shkak të procedurave të tejzgjatura që ekzistojnë për ta bërë një gjë të tillë. Në kushte të tilla zgjidhja e kalimit “në përdorim”, duket më idealja. Por si mund të bëhet kjo gjë dhe cili është interesi I biznesmenit që mund të ofrohet për ta bërë këtë gjë? Nënkryetari Troshani e sqaron edhe këtë pikë kur thotë: “Kalimi në përdorim apo administrimin e një biznesmeni I klubit, do të thotë se ai do merret me drejtimin dhe menaxhimin e tij. Ideja gjithnjë nëse realizohet është që me anë të një kontrate, ky kalim të bëhet për një periudhë dy apo tre vjeçare sepse për një vit kuptohet që askush nuk shfaq interes. Por edhe më shumë se 2-3 vite nuk mendoj se është logjike të firmohet një kontratë e tillë sepse ndryshojnë shumë gjëra edhe në futboll dhe mënyrën e funksionimit të klubeve. Por një gjë duhet ta kenë të qartë biznesmenët e interesuar për ta marrë drejtimin e klubit. Në fund të periudhës që ata do ta drejtojnë atë, asnjë investim nuk do t’u njihet si aksion. Prandaj e shoh paksa të vështirë këtë gjë megjithatë nëse ka njerëz të interesuar, Bashkia Shkodër është e gatshme të bashkëpunojë me ta”. Pyetja që lind kuptohet që është e logjikshme: CIli do jetë kontributi I Vllaznisë në këtë mënyrë të re funksionimi, gjithnjë nëse ajo fillon të funksionojë? Nënkryetari Troshani është I qartë edhe në këtë pikë dhe prandaj deklaron: “Bashkia pavarësisht se në njëfarë mënyre mund të tërhiqet nga menaxhimi I klubit, ajo do të vazhdojë të japë kontributin e vet tek Vllaznia, madje edhe nga ana financiare. Kështu, nëse sot aktualisht ajo jep 450 milionë lekë të vjetra, me kontratën e bashkëpunimit me biznesmenin, ajo mund të derdhë ta zëmë një shifër prej 300 milionësh dhe pjesa tjetër derdhet nga biznesmeni I cili sigurisht që do marrë përsipër menaxhimin e klubit dhe do jetë shumë I interesuar për ta bërë atë sa më mirë”. Edhe në këtë mes sigurisht që ka disa paqartësi dhe padyshim edhe dyshime nëse dikush do të ofrohet kur e di se shpenzimet që do bëjë, nuk do t’I njihen si aksione. Megjithatë, drejtuesit e Bashkisë Shkodër janë të përgatitur për ta drejtuar vetë klubin edhe vitin e ardhshëm. Nëse fondet dhe gjithçka tjetër është e programuar deri në qershor të vitit 2013, ata kanë ngarkuar me punë administratën aktuale të klubit Vllaznia për hartimin e projekt- buxhetit që duhet për gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm, I cili do miratohet në fund të këtij viti në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Gjergj KOLA
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Troshani: Vllaznia mund t’i jepet “në përdorim” biznesmenëve