Trukimet mbeten plaga më e madhe e futbollit. Një sëmundje, e cila i ka rrënjët shumë thellë, me detaje rrënqethëse që vijnë nga mediat rumune, “Gazeta Sporturilor” dhe “The Black Sea”, në kuadër të operacionit “Football Leaks”.

Bëhet fjalë për ndeshje miqësore ndërkombëtare të luajtura në Qipro dhe të arbitruara nga persona, pjesa më e madhe e të cilëve, nuk e kishin bërë asnjëherë në jetë detyrën e gjyqtarit.

Subjekte, që megjithatë zbatonin në perfeksion direktivat, me qëllimin që rezultatet në fushë të ishin sipas kërkesave të organizatorëve të basteve të jashtëligjshme. Bëhet fjalë për një organizatë të strukturuar, mes të cilëve spikat emri i menaxherit të FIFA-s, Erik Mao.

Trukimet dhe metodat e përdorura janë zbuluar nga deklaratat e një futbollisti rumun, i cili ishte në fundin e karrierës. 31-vjeçari Alin Stoika, sipas të cilit në momentin kur i nevojiteshin shifra të mëdha parash, prej problemeve familjare, takoi menaxherin grek Gavril Papanastasatos.

Edhe pse sipas “Football Leaks”, ish-mbrojtësi kishte një rol më aktiv, ai pretendon se menaxheri i kërkoi të rekrutonte arbitra për disa miqësore në Qipro, ku do të përfitonte 500 euro për çdo “gjyqtar”.

Misioni u realizua dhe prej atij momenti, ndërmjet vitit 2016 dhe 2018 u zhvilluan të paktën 32 ndeshje miqësore, për shumë prej të cilave i penduari Stoika deklaron se edhe lojtarët ishin në dijeni të manipulimit të rezultatit dhe merrnin pjesë në mënyrë aktive në trukime.

Pjesa më e madhe e klubeve të përfshira në ndeshjet e trukuara, nën drejtimin e arbitrave falsë, ishin ruse: plot 15 të tilla.

Në klasifikimin e skuadrave sipas vendeve, më tej vijnë Qipro dhe Polonia (3 skuadra secila), Serbia dhe Republika Çeke (2), të ndjekura nga me nga një skuadër nga Zvicra, Bjellorusia, Sllovakia, Moldavia, Rumania, Ukraina, Bullgaria dhe Letonia.

Ndërkohë, sipas analizës për klubet e veçanta, në krye të renditjes për pjesëmarrje në miqësoret e manipuluara me qëllim përfitimi nga bastet e jashtëligjshme, në vendin e parë është Kuban Krasnodar me gjashtë takime, i ndjekur nga polakët e Visla Plok me 5 ndeshje.

Organizata e cila përfshinte dhjetëra arbitra falsë, kujdesej që për miqësoret e trukuara të organizuara, si siguronte ekipeve fjetjen dhe transportin pa pagesë./sport-ekspres/