Opinion nga Redan BUSHATI*
Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve (BFTS), një sistem i sofistikuar i UEFA-s përmes një raporti ka tronditur opinionin e gjerë sportiv shqiptar. Raporti tregon për disa ndeshje të trukuara të kampionatit të kaluar shqiptar, por edhe të ndeshjes së edicionit aktual mes Kastriotit dhe Vllaznisë. Kjo tronditje më duket më shumë se absurde, pasi ne vazhdojmë të marrim gjithçka të mirëqënë nga çdolloj raporti, i cili mban firmën e të huajve.
Me këtë nuk dua të anashkaloj institucionin e UEFA-s, sesa të vë në dukje faktin e “dhjamosjes” mendore të një pjese të shoqërisë sportive shqiptare. Pse? Kjo lidhet me kulturën e mohimit të koshiencës sonë. Kush nga ne shqiptarët, që është ose jo pranë futbollit, nuk e ditka se shumë ndeshje të kampionatit tonë ndër vite janë trukuar?!
Sportdashësit shqiptarë, analistët dhe gazetarët, botuesit dhe kryeredaktorët apo çdo individ i përfshirë në aktualitetin sportiv shqiptar është i vetëdijshëm për situatën, e cila përshkruhet në raportin në fjalë. Por a ka raport më të sigurtë dhe që të lë pafjalë sesa ajo çfarë prekim e shikojmë çdo ditë secili nga ne? Sigurisht, që jo. Ne jemi brenda vetes sonë raporti më i mirë dhe i sigurtë, por i cili qëndron në heshtje si rezultat i shumë faktorëve, por që e përbashkëta lidhet me nivelin kulturor të mbarë shoqërisë shqiptare.
Shumë ndeshje të kampionatit të futbollit shqiptar, veçanërisht me fillimin e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit në të cilin jemi, kanë nisur jetën e tyre trukuese. Një jetë brilante për matrapazët e futbollit në vendin tonë, por që pa këtë mënyrë jetese shumçka do të vihej në pikëpyetje, madje edhe financimet e ekipeve tona. Pra, konkluzioni është i thjeshtë dhe fare i kapshëm. Trukimet e ndeshjeve nuk kanë ndodhur vetëm vitin e kaluar. Ato kanë ndodhur edhe kohë më përpara. I kemi ndjerë, parë, dëgjuar e shijuar nga afër edhe mënyrën amatoreske të trukimit të tyre. Trukime ndeshjes ka gjithandej në botën e futbollit. Ato që ngrejnë tani alarmin në vendin tonë, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse hileqarin dhe hedhësin e hirit drejt syve tanë, duke na dhënë panoramën e të paditurit dhe krupëndjellësit, sikur këto ngjarje kanë nisur dje. JO! Sigurisht nga bota kemi mësuar edhe ne, trukimin. Ndeshjet trukohen edhe në kampionatet më të ndjekura të Europës. Ndryshimi mes tyre dhe neve është një hendek i madh. Ne kur trukojmë nuk i lëmë njeriu pa i thënë se ndeshja do të trukohet. Dhe në të shumtën e rasteve ashtu del. Tregohet paraprakisht rezultati dhe ndeshja është thjesht konkludim i tij. Pikërisht, edhe këtu ne tregohemi budallenj dhe të pamësuar. Dhe më qesharak bëhet fakti, se na dalin në media ca palo drejtues klubesh, që na thonë se edhe mund të ketë pasur tolerime, por jo trukime. Nga ana tjetër, këto zotërinj harrojnë faktin se për një pikë të mohuar nga gjyqtari i ndeshjes apo për një rezultat të pakënaqur të ekipit të tyre arrijnë ti bëjnë gjëmën kampionatit tonë, duke shfaqur akte të dhunshme në sytë e publikut. E jo më, këto zotërinj mund të lënë apo tolerojnë pa asnjë lloj interesi ndeshjen e ekipit të tyre!
Si përfundim, në kampionatin shqiptar të futbollit trukimet kanë më shumë se 10 vite që jetojnë në mesin tonë. Ato kanë qenë të pandara, veçanërisht për drejtuesit e klubeve. E rëndësishme për futbolldashësin shqiptar është minimizimi i trukimeve të ndeshjeve dhe shfaqja e një futbolli të kënaqshëm, në mënyrë që ndeshjet e kampionatit shqiptar të mos i ndjekin në stadiume vetëm palët kundërshtare dhe drejtuesit e tyre, arbitrat e gjykimit, policia e shtetit shqiptar dhe ndonjë shofer ambulance pa mjekë brenda. Kështu, FSHF duhet të forcojë radhët e saj, të ngrejë një komision etike të duhur për të minimizuar shitjet dhe blerjet e ndeshjeve apo fiksimet paraprake të tyre.
*Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH)