Manipulimet janë shtrirë në gjithë aktivitetet futbollistike ndërkombëtare të të gjitha niveleve dhe UEFA tashmë po merr masa drastike ndaj atyre të cilët vërtetohet se kanë marrë pjesë në veprime të jashtëligjshme. Institucioni që drejton futbollin në Europë ka vendosur të zbatojë tolerancën zero ndaj atyre që cilësohen shkelës dhe për këtë arsye, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës, ka ndëshkuar sot 6 futbollistë të U-21 të Maltës për pjesëmarrjen në manipulimin e ndeshjeve të kombëtares. Në fakt hetimet kishin filluar prej një viti ndaj 7 lojtarëve, të cilët akuzoheshin se ishin përfshirë në trukimin e ndeshjeve ndaj Malit të Zi (0-1) më 23 mars 2016 dhe Republikës Çeke (0-7) më 29 mars 2016.
Emanuel Brifa dhe Kajl Cesare u përjashtuan përjetësisht nga futbolli për veprimet e tyre në këto ndeshje. Samir Arab, Rajan Kamenzuli, Lliuelin Kremona dhe Luka Montebelo u dënuan nga 12 muaj deri në 24 muaj sepse nuk kishin njoftuar UEFA-n dhe autoritetet përkatëse për ofertën që kishin marrë nga individë të caktuar për të manipuluar ndeshjet, ndërsa Methju Kremona u shpall i pafajshëm. /vipsport/