Thomas Tuchel prezantoi ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në një konferencë për shtyp. “Kjo ndeshje është si finale, – shpjegoi trajneri i Bayern Munich. – Qëllimi ynë është të arrijmë në ‘Wembley’. Vijmë nga triumfi ndaj Arsenalit dhe kjo na jep shumë besim. Dhe të luash kundër Real Madridit është një hap shumë i rëndësishëm. Jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e së martës”.
Më tej bëri një parashikim: “Nuk e di pse, por ndiej se Gnabry do të shënojë një gol të sigurt”. Tuchel kishte fjalë të ëmbla për Ancelottin: “Carlo është një legjendë. Ne do të përgatitemi mirë, edhe pse me një ditë më pak se kundërshtari në dispozicion. Të gjithë jemi të emocionuar për ta përballuar si duhet këtë ndeshje. Carlo demonstron qetësi dhe përvojë. Është e rëndësishme të fokusohemi te vetja. Duhet të kemi disiplinë për të gjetur zgjidhje. Ne kemi përvojë në Champions, si unë, ashtu edhe lojtarët”.
Bellingham e sheh si një nga kërcënimet më të mëdha të Real Madridit: “Rritja e tij është e pabesueshme. Kur luan për një klub kaq të madh, do të thotë se ka arritur majat. Ai e menaxhon mirë situatën, edhe nëse pritshmëritë janë të mëdha. Ne duhet të gjejmë zgjidhje për ta bllokuar”.
Receta për të mundur Real Madridin: “Ne duhet të kemi taktika, por edhe liri. Nuk mund të mendojmë vetëm për taktikat. Lojtarët janë interpretuesit e manovrës, kanë nevojë për një liri të caktuar. Detajet e vogla do ta vendosin këtë ndeshje. Ndoshta duhet edhe pak fat, shpresojmë të na ndihmojë, por nuk mund të varemi vetëm nga kjo gjë”./telesport/