Prej 40 vitesh punon si trajner me ekipin e atletikës së Vllaznisë. Vildan Tufi është specialist i garave të kërcimeve dhe atyre të shpejtësisë dhe nga duart e tij kanë dalë me dhjetra kampionë e rekordmenë të vendit. Jo më kot, ai së fundi u nderua edhe si trajneri i vitit 2011 nga klubi Vllaznia por edhe me titullin “Nderi i atletikës shqiptare” nga ana e Federatës përkatëse. Duke i bërë një pasqyrë të përgjithshme të gjithë sportistëve cilësorë që ai ka kaluar nëpër duar gjatë këtyre viteve, numri i tyre shkon shumë megjithatë trajneri Tufi nuk ka dëshirë të ndalet shumë tek emrat që tashmë nuk janë më pjesë e sportit.


Ai kërkon të ndalet dhe të evidentojë dy prej emrave më të spikatur aktualisht tek atletika shqiptare dhe që premtojnë shumë për të ardhmen. “Dua të evidentoj një djalosh si Izmir Smajlaj që në garat e kërcimeve brenda një kohe të shkurtër do jetë absolut. Po ashtu, në garat e shpejtësisë, kam Mario Shestanin. Një djalosh 18 vjeçar, pjestar i familjes së njohur në not Shestani që ka zgjedhur atletikën dhe mendoj se shpejt ka për të qenë kampion absolut në 100 metra. Jam shumë i kënaqur me pasionin e këtyre dy djemve për këtë sport, por edhe shumë të tjerëve sepse rivalitetin më të madh ata e kanë me shokët e ekipit dhe jo me ata të ekipeve kundërshtare sepse Vllaznia në Shqipëri nuk njeh kundërshtarë”-ka thënë trajneri Tufi ekskluzivisht për gazetën “shkodrasport.com”. Por në pikësynimet e tij për vitin e ardhshëm, Tufi e shpreh hapur dëshirën që atleti i cili do përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të jetë nga Shkodra. Nëse për vajzat është e përcaktuar ajo që do shkojë në Londër- Luiza Gega, për djemtë do jetë një nga më të mirët e garave të shpejtësisë dhe prandaj gara do jetë mes shkodranëve.

 

www.shkodrasport.com