Rezultatet e shkëlqyera që atleti Izmir Smajlaj ka arritur gjatë vitit 2016, nuk do të mbesin me aq. Trajneri i tij Vildan Tufi duke folur në emër të sportistit që stërvit, ka premtuar rezultate të larta edhe këtë vit, shoqëruar këto me rekorde të reja në disiplinat sportive ku garon. Njëkohësisht ai ka bërë thirrje për më shumë mbështetje sepse kemi të bëjmë me një sportist të përmasave botërore. “Të them të drejtën, Bashkia, Këshilli Bashkiak duhej të na kishin qëndruar më afër. Për rregullimin e kushteve të stërvitjes apo qoftë edhe një pritje para ose pas ardhjes nga Lojërat Olimpike. Gjithsesi kjo besoj se do jetë një mësim për ta në mënyrë që në të ardhmen të na qëndrojnë më afër. Në emër të Izmirit ju premtoj se arritjet nuk do të na mungojnë as në vitin 2017 teksa synojmë sërish thyerjen e rekordit kombëtar dhe nderimin e klubit Vllaznia dhe të Shkodrës”- ka thënë trajneri Tufi. Smajlaj gjatë vitit që lamë pas ka thyer rekordet kombëtare në garat e kërcimit së gjati dhe në trehapësh,ka marrë pjesë në finalet e Kampionatit Europian ku ka zënë vendin e nëntë në kontinent dhe po ashtu, ka marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike dhe të gjitha premisat i ka që këto rezultate të larta, t’i përsëris sërish.
© shkodrasport.com