Ernest Muçi kërkohet nga Rapidi i Vjenës. Lajmi konfirmohet nga burime pranë lojtarit, por edhe klubit bardheblu. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se menaxheri i lojtarit po punon që të çojë futbollistin në një skuadër të madhe dhe në skenë ka dalë Rapidi.

Ernest Muçi mund të kalojë te austriakët ose të paktën kështu përflitet në ambientin bardheblu. Burime të konfirmuara bëjnë me dije se lojtari i sulmit është pëlqyer nga drejtuesit e skuadrës së huaj, të cilët po e ndjekin prej kohësh. Thuhet se Tiranës për lojtarin i janë afruar rreth 400 mijë euro.

Një shumë e madhe, në krahasim me të gjitha ofertat që u kanë ardhur bardhebluve në tavolinë. Bardheblutë nuk e kanë pëlqyer këtë ofertë, sepse duan më shumë para dhe një pjesë të mirë të kartonit.

Tirana kërkon mbi 500 mijë euro. Burime pohojnë zyrtarisht që janë edhe skuadra të tjera që kërkojnë Muçin, por ende nuk ka një vendim zyrtar për çështjen nëse Muçi do të largohet apo jo këtë janar nga Tirana.

Më parë për Muçin kanë ardhur oferta nga Suedia, Zvicra, por Tirana kërkon të marrë maksimumin nga talenti që ka në ekip. Vetëm nga periudha e formimit bardheblutë i kanë të sigurta 200 mijë euro, gjithmonë nëse shkon në një skuadër të madhe.